Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar kundër pretendimit të PD se ARRSH ka ndryshuar kriteret për të favorizuar firmën “Gjoka Konstruksion”, në lotin e parë të Unazës së Madhe, që shtrihet nga Pallati me shigjeta te ish-rrethrrotullimi “Shqiponja”.
Partia Demokratike ka publikuar pasditen e së hënës të tjera dokumente, sipas të cilave, thellojnë akoma më shumë skandalin e ARRSH-së me aferën e Unazës së Madhe. Përmes dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Antikorrupsionit, PD pretendon se ARRSH ka ndryshuar kriteret për të favorizuar firmën “Gjoka Konstruksion”, në lotin e parë të Unazës së Madhe, që shtrihet nga Pallati me shigjeta te ish-rrethrrotullimi “Shqiponja”.
Në reagimin e saj ARRSH thekson se “I qëndron plotësisht deklarimeve të bëra se kriteret e përcaktuara në ‘Dokumentet Standarte të Tenderit’ kanë qenë të njëjtat si në tenderin e parë ashtu edhe në ritenderimin që po zhvillohet aktualisht. Partia Demokratike spekulon qëllimisht për ndryshimin e kriterit “NP – 12/G Punime të inxhinierisë së Mjedisit” në “NP -12/F Punime të inxhinierisë së Mjedisit”. Çdo ndryshim ka ndodhur me kërkesën e Agjencisë së Prokurimit Publik që përpara tenderit të parë, me kërkesën datë 11.09.2018. Ky kriter ashtu sikurse çdo kriter tjetër ka qenë i njëjtë si në tenderimin e parë të datës 17.10.2018 ashtu edhe në ritenderimin e datës 14.01.2019. Riktheksojmë se asnjë kriter nuk ka ndryshuar nga tenderi i parë deri në atë të dytin dhe kjo mund të verifikohet lehtësisht nga çdokush pranë Agjencisë së Prokurimit Publik”.
/a.rada