Prej dy vitesh, Klement Balili vazhdon ta kthejë duarbosh policinë gjatë aksioneve të dështuara për arrestimin e tij, megjithatë, javët e ardhshme sfida e radhës nuk do të jetë për uniformat blu, por për prokurorinë.
Siç bën me dije një burim pranë Ministrisë së Drejtësisë, Greqia i është përgjigjur në fund të muajit dhjetor 2018, përmes një letërporosie, kërkesës së Krimeve të Rënda, e cila këmbënguli t’i dorëzoheshin prova shtesë ndaj 46-vjeçarit. Kjo letërporosi ishte justifikimi kryesor i prokurorisë që në 2018 zgjati 3 herë afatin hetimor për Balilin, i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, por që për shkak të dështimit të policisë për ta arrestuar, u quajt nga ish-ambasadori Donald Lu edhe si magjistari.
Tashmë që pala greke i bashkangjit akte të reja, mes tyre procesverbale të kqyrjes së ngarkesës së hashashit dhe dëshmitë e dy të dyshuarve si skafistë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, sfida për prokurorinë është se sa kohë do t’i duhet asaj për t’i mbyllur hetimet.
Megjithatë, edhe pse nuk jepen detaje nëse kanë apo jo vlerë për hetimet procesverbalet e dorëzuara, një burim i tha top-channel se pritet që brenda muajit janar prokuroria t’i dorëzojë gjykatës dosjen e mbyllur, duke dërguar nën akuzë vetëm Klement Balilin, njeriun që përmbi dy vjet vazhdon në arrati të luajë me autoritetet.
Pas dorëzimit të dosjes është gjykata që do të vlerësojë në një seancë paraprake për dërgimin në gjykatë të Balilit për veprat e trafikut dhe të grupit kriminal. Ajo që dihet me siguri është se që prej 2016 policia ka organizuar 14 aksione për kapjen e tij, por ka dështuar, madje edhe pse vendosi një shpërblim prej 5 milionë lekë për çdokënd që do të jepte informacion të vlefshëm. Ky dështim u lakua edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me drejtuesit e policisë.
“Unë nuk dua të presim të vijë ambasadorja amerikane për të na kujtuar gjatë ndonjë fjalimi përshëndetës që Klement Balili nuk është kapur akoma”, thonte Rama.
a.cupaj