Nga Thanas Mustaqi/
Për Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta “Gent Cakaj ka treguar mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke neglizhuar zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore që garantojnë qarkullimin e sigurt të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror”. Natyrisht, argumentimin për mosdekretimin e Cakajt e ka hartuar drejtori i kabinetit të Metës, me gradën ambasador, Arben Cici. Sipas jetëshkrimit të tij, nga viti 1992 deri në 1995, ka qenë ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Federatën Ruse dhe se nga 1993 deri në vitin 1995 përfundoi studimet pasuniversitare në aspiraturë pranë Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse në Moskë (shih faksimilen).
Pra, a ka garanci për sigurinë kombëtare të Shqipërisë drejtori i kabinetit që ishte dhe ambasador në Moskë dhe vazhdonte studimet në akademinë diplomatike ruse, një organ me varësi të dyfishtë, nga MPJ dhe nga shërbimi sekret KGB dhe pastaj FSB? Ndërkohë Bahri Shaqiri, këshilltar i Presidentit të Republikës për çështjet e sigurisë kombëtare, ka mbajtur postin e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) prej vitit 2005 deri në vitin 2012, pra dhe në kohën kur Ilir Meta ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme (9 shtator 2009-16 shtator 2010).
Sikurse është bërë e ditur, Ambasadori i Shqipërisë në Federatën Ruse, Bjellorusi dhe Komonuelthin e Shteteve të Pavarura, Sokol Gjoka, gjatë një takimi me studentë rusë e shqiptarë dhe profesorë të universitetit MGIMO të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, ka deklaruar: “Një nga drejtimet e bashkëpunimit aktiv ndërkombëtar të Shqipërisë, dhe me Federatën Ruse, përfshin kooperimin e shërbimeve inteligjente, shkëmbimin e informacionit dhe veprimet operative konkrete”. Autori i këtyre radhëve e ka bërë publik këtë fakt qysh atëherë. Shumëkush e mban mend se ç’ furtunë u shkaktua në selinë e NATO-s. Jo vetëm kaq, z. Meta ka udhëzuar në mënyrë antikushtetuese, pasi Shqipëria është shtet laik, që ambasadori Gjoka të jetë dhe ambasador i kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për të bërë një politikë të jashtme me dimension ortodoks (?!)
Më 11 qershor 2010, ambasadori Sokol Gjoka falënderoi Primatin e Kishës Ortodokse Ruse, Kirill, për pritjen, duke nënvizuar rëndësinë e madhe të Kishës Ortodokse Ruse jo vetëm për Rusinë, por për të gjithë botën. Ai tregoi që përpara se të vinte në detyrën e ambasadorit në Federatën Ruse është takuar me Fortlumturinë, Kryepeshkopin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastas, i cili iu lut t’i transmetonte Hirësisë së Tij Kirill përshëndetjet vëllazërore, duke shprehur interes për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy Kishave. Dhe pse Shqipëria është një vend me popullsi mbizotëruese myslimane, Gjoka garanton primatin e Kishës Ortodokse Ruse, Kirill se “duke ditur që Kisha Ortodokse në Shqipëri ka një rol, ka një ndikim në popullsinë shqiptare, unë do të dëshiroja që një nga drejtimet e punës sime ta përqendroja dhe në bashkëpunimin midis besimtarëve, por edhe vet Kishës Ortodokse në vend, në Shqipëri, dhe në Rusi”.