“Brazili nuk është më toka e banditeve. Matteo Salvini, një dhuratë e vogël po të vjen”: Përmes këtij mesazhi në twitter, ligjvënësi Eduardo Bolsonaro, përshëndeti arrestimin e ish-militantit të shumëkërkuar Italian, Cesare Battisti, të cilin babai i tij, presidenti i ri i Brazilit, Jair Bolsonaro është betuar ta ekstradojë. Battisti, ish pjesëtar i grupit “Proletarët e armatosur për komunizmin”, kërkohet për katër vrasje në Itali gjatë viteve 1970, të cilat mohon t’i ketë kryer.
Ai u arratis nga burgu në 1981-shin e kaloi vite të tera në Brazil si refugjat i mbështetur nga ish-presidenti i majtë, Luiz Inacio Lula da Silva. Por kreu i ri i shtetit Brazilian, që e mori zyrtarisht postin në 1 janar, është zotuar ta ktheje atë mbrapsht në Itali.
Battisti u arrestua në Bolivi e shumë shpejt, sipas Filipe Martins, këshilltar i Bolsonaro për çështjet ndërkombëtare, do të dërgohet në Brazil nga ku me shumë gjasa do të deportohet në Itali për të vazhduar dënimin me burgim të përjetshëm.
Salvini i ka përshendetur veprimet e policisë boliviane dhe qeverisë së Brazilit, ndërsa Battistin 64-vjeçar e quajti “Një kriminel që nuk meriton të jetojë rehat në breg të detit, por t’i ngrysë ditët e tij në burg”./a.meta