I zbuluar në Zagreb: romani «Bijtë e shqipes» i disidentit kroat, Stjepan Gjurekoviq, përshkruan jo vetëm terrorin jugosllav në Kosovë në fillim të viteve ‘80, por shpalos edhe një anë të panjohur të ish-menaxherit të kompanisë së naftës INA, i cili u vra nga shërbimet sekrete jugosllave në Gjermani.
Nga Enver Robelli
Në romanin «Libri për Unën» të shkrimtarit boshnjak Faruk Shehiq një personazh pyet: «Çfarë lumi është ai, të cilit nuk ia di fundin?» Në kontekstin e historisë ballkanike mund të shtrohet kjo pyetje: «Çfarë (mund të) dimë për historinë derisa shumë arkiva ende janë të mbyllura, mjaft dosje janë fshehur apo shkatërruar tërësisht dhe jo pak protagonistë politikë apo ‘shkencorë’ luajnë rolin e patriotit për të fshehur bëmat e tyre në të kaluarën komuniste?»
Para kësaj pyetjeje gjenden shumë shoqëri që i përkisnin dikur botës komuniste dhe tashmë gati një çerekshekull luhaten mes demokracisë së dobët dhe demagogjisë së pushtetarëve që vijnë e shkojnë. Një shembull se si e kaluara s’mund të arkivohet pa u ballafaquar me të është Republika e Kroacisë.
Në prag të shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë në luftën për pavarësinë e Kroacisë nuk u përfshinë vetëm ata që përherë ishin angazhuar për shtet të mëvetësishëm kroat. Në taborin patriotik kaluan edhe pjesa më e madhe e atyre që edhe me armë i kishin luftuar kritikët e ashpër të sistemit jugosllav. Ndër ta ishte edhe Josip Perkoviqi, një funksionar i lartë i sigurimit shtetëror që me vite të tëra kishte goditur emigracionin politik kroat në botën perëndimore.
Madje nga fundi i viteve ‘80 Perkoviqi, bashkë me ish-funksionarin komunist Mika Shpiljak, u kujdesën që disidenti Franjo Tugjman të marrë sërish pasaportën jugosllave, e cila i ishte konfiskuar për 15 vjet, në mënyrë që të pengohej të mbante kontakte me diasporën kroate. Tugjmani nuk e harroi këtë ndihmë: në Kroacinë e pavarur Perkoviqi shpëtoi pa therë në këmbë, madje ushtroi detyra të rëndësishme në sektorin e sigurisë, ndërsa i biri i Mika Shpiljakut, Vanja Shpiljak, vazhdoi i papenguar tregtinë e tij me derivate të naftës – bile edhe me NATO-n dhe me trupat e saj në Kosovë.
Kësaj politike i thonë: njëra dorë lanë tjetrën! Por, prapë e kaluara nuk u arrit të zhbëhej as nga Tugjmani, as nga qeveria e prirë nga socialdemokratët kroatë, të cilët janë pasardhës të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Perkoviqin e nxori para gjyqit Gjermania bashkë me shefin e tij të dikurshëm Zdravko Mustaq. Ata u akuzuan se kanë organizuar vrasjen e disidentit kroat Stjepan Gjurekoviq në Gjermani. Që këta dy udbashë janë dënuar në vitin 2016 me burg të përjetshëm. Më 28 korrik 1983 vrasës të shërbimit sekret komunist jugosllav vranë në Wolfratshausen afër Münchenit disidentin Stjepan Gjurekoviq. Ai kishte ikur nga Zagrebi, ku drejtonte marketingun e firmës INA, dhe nga ekzili gjerman kishte denoncuar korrupsionin brenda Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë.
Gjurekoviqi ka shkruar disa libra si «Komunizmi: një mashtrim i madh», «Thyerja e idealeve», «Menaxherët e kuq», «Unë, Josip Broz Tito». Për opinionin shqiptar me rëndësi të dorës së parë është një libër tjetër, një roman modest i Gjurekoviqit: në veprën «Bijtë e shqipes» («Sinovi orla») ai përshkruan gjendjen e rëndë dhe dhunën policore jugosllave në Kosovë pas demonstratave të vitit 1981. Romani është si të thuash produkt i bisedave që Gjurekoviqi i kishte zhvilluar me aktivistë shqiptarë pas ikjes në Gjermani. Në frymën e kohës janë edhe emrat e personazheve, një kombinim iliro-osmano-kristian:
Ismail Kosova, Zef Gjoni dhe Mustafa Dardani në romanin e Gjurekoviqit diskutojnë e raportojnë për represionin policor në Kosovë, tregojnë rrethanat e diskriminimit dhe mendojnë për një vizion që dukej tejet aventurier në atë kohë: liria e plotë e Kosovës.
Përfundimi i romanit është gati profetik: «Krimet që i kreu policia serbo-malazezo-maqedonase, në vend se t’i pacifikojnë shqiptarët, vetëm sa i nxitën ata edhe më shumë për luftë dhe përleshje pa pushim. Në Kosovë nuk do të ketë kurrë më paqe derisa shqiptarët nuk arrijnë lirinë e tyre, në të cilën kanë të drejtë të gjithë popujt e tjerë të botës, por tani për tani jo edhe ata, bijtë e shqipes…». Ismail Kosova, Zef Gjoni, Mustafa Dardani dhe shokët e tyre pyesin: përse rrugët e qyteteve të Kosovës quhen «Kraleviq Marko» dhe jo «Skënderbeu»? Romani «Bijtë e shqipes» është botuar në Wolfratshausen të Bavarisë, aty ku ishte vrarë e masakruar Gjurekoviqi.
Në varrimin e tij atëbotë kishin marrë pjesë edhe disa emigrantë shqiptarë, madje në kortezh shihet edhe një grua me plis të bardhë. Gjurekoviqi duket se ishte inspiruar të shkruante romanin jo vetëm nga bisedat me emigrantë shqiptarë, por edhe nga artikujt e shtypit të diasporës kroate, siç ishte gazeta «Nova Hrvatska».
Pas trazirave të vitit 1981 në Kosovë redaktori i kësaj gazete, Jaksha Kushan, shkroi një koment, ku theksonte: «Në gjak po lind ‘republika e shtatë’ dhe po shpërbëhet Jugosllavia».
Vrasja e Gjurekoviqit kishte zemëruar komunitetet kroate anekënd botës. Në shumë qytete ishin mbajtur mesha përkujtimore për këtë viktimë të shërbimit sekret jugosllav. Në redaksinë e gazetës «Nova Hrvatska» kishin arritur letra të lexuesve, ku nënvizohej se as KGB-ja sovjetike nuk kishte vrarë aq disidentë sa shërbimet e fshehta jugosllave.
Sipas hulumtimeve më të reja regjimi i Josip Broz Titos ka vrarë mbi 70 kundërshtarë politikë në emigracion. Një lexues i «Nova Hrvatskas», i nënshkruar me «M.D., Zvicër«», e krahasonte vrasjen e Gjurekoviqit me vrasjen e Millan Shufllajt, albanologut të famshëm kroat, në vitin 1931. Shufllaj u vra me gjasë nga shërbimet sekrete të Beogradit për shkak të punës së tij shkencore mbi shqiptarët në Ballkan.
Lexuesi shkruan: «Millan Shufllaj u ngrit në mbrojtje të shqiptarëve dhe ngjashëm veproi edhe Gjurekoviqi. Shufllajn e mbytën mizorisht me shufër xhandarët serbomëdhenj në mes të Zagrebit. Serbomëdhenjtë nuk mund të pajtohen me atë se kroatët, duke mbrojtur veten, përfaqësojnë edhe interesat shqiptare». Kundër vrasjes së Millan Shufllajt atëbotë kishin protestuar edhe shkencëtari gjenial Albert Einstein dhe shkrimtari gjerman Heinrich Mann, vëllai i autorit Thomas Mann, fitues i çmimit «Nobel» për letërsi.
Vrasja e Stjepan Gjurekoviqit tregoi përfundimisht se shërbimet sekrete jugosllave ishin thellë të infiltruara në organizatat e ndryshme të diasporës kroate dhe shqiptare. Protagonistë të kohës, të cilët ende janë gjallë, tregojnë se regjimi i Titos kishte arritur të fuste njerëzit e vet praktikisht në çdo organizatë. Afërmendsh, edhe për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës rrugën drejt krimit e kanë hapur jo pak shqiptarë faqezinj. Se kush e ka tërhequr këmbëzën mund të jetë e parëndësishme, në fund të fundit.
Kriminelët e vërtetë janë ata që vrasësit i çuan te viktimat e tyre. Sa aktive ishin shërbimet jugosllave tregon edhe ky fakt: agjentët e Beogradit përgatitën dhe shtypën një numër të gazetës «Nova Hrvatska», ku lansuan tema që mund të përçanin komunitetin kroat në diasporë.
Në varrimin e Gjurekoviqit kishte mbajtur fjalim edhe Emil Kastrioti alias Emin Fazlia nga Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare, i cili me atë rast përbetohej se dita e hakmarrjes do të vijë dhe protestonte kundër autoriteteve gjermane, të cilat, sipas tij, qëndronin duarkryq përballë vrasjeve mafioze të shërbimeve të Beogradit.
Tragjedia e familjes Gjurekoviq vazhdoi: në vitin 1987 në Calgary të Kanadasë u gjet i vdekur i biri i tij, Damiri. Ai kishte ikur nga Gjermania i frikësuar se do ta vriste regjimi i Titos.