Nga Çapajev Gjokutaj
Një gjyqtar në Fier ka kërkuar jo vetëm páre, por edhe favore seksuale nga të paktën tri gra. Në shkëmbim do t’u jepte drejtësi.
Që drejtësinë e kemi kthyer në mall dhe e shesim në treg, kjo dihet nga i madh e i vogël, ndaj s’përbën kurrfarë lajmi.
Nuk përbën kurrfarë lajmi edhe fakti që burra me pushtet kërkojnë favore seksuale me fjalë e sjellje alabakësh.
Edhe Zeusi që ishte zot mbi zotat, kur i vinte syrin ndonjë tokësoreje, nuk sulej mbi të si alabak, si kafshë a si pervers, por gjente mënyra të rafinuara, herë bëhej shpend e herë zbriste në trajtë shiu të artë.
Por duket se jetojmë kohë prozaike, për më tepër të ngujuar në këtë cep të botës ku maliqërit dalin jo vetëm mbi ligjin, por edhe mbi sjelljet njerëzore.
Të bën përshtypje edhe diçka tjetër, shumë më e rëndësishme. Në raste skandalesh të tilla qoftë media, qoftë gërmëri ynë publik përqendrohen në detajet sensasionale, lëshojnë ca pasthirma dhe vrapojnë pas skandalit të radhës.
Kështu ndodhi me brekët e grisura të ish kryebashkiakut të Dibrës. Kështu ndodhi më pas me një gjykatës në Gjirokastër. Kështu duket se do të ndodhë edhe kësaj radhe.
Ndryshe ndodh në shoqëritë e hapura që përdorin instrumenta vetkorigjues.
Para një viti skandali me Harvey Weinstein në ShBA dëshmoi se prirja e burrave me pushtet për të kërkuar favore seksuale nga gra dhe vajza hallexhesha është mjaft e përhapur dhe ka shtrirje globale.
Ndryshimi është se bota e qytetruar e ktheu skandalin Wenstein në një lëvizje të gjerë, që solli denoncimin e mijëra rasteve jo vetëm në botën e ekranit, por edhe në politikë, biznes, mjekësi, madje edhe në kishë. U përpunua opinioni se nuk është turp të denoncosh publikisht shpërdorime të tilla.
Lëvizjet e tipit “#metoo” në rjetet sociale s’u kufizuan me denoncime, as vetëm me përpunim opinioni, por nxitën diskutime të gjera dhe sensibilizim publik, që shpunë në përmirësimin e kuadrit ligjor për ta luftuar më mirë këtë fenomen.
Me sa duket kërshëria për brekët e grisura të kryebashkiakut a për detaje të tjera banale s’na lenë të shohim më tej e më thellë, por na tërheqin nga gallata levantine.
a.c