Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas përplasjes me Ramën, pas vendimitt të presidentit për të mos dekretuar Gent Cakajn si ministër të jashtëm.
Me një gjuhë të ashpër, Meta shkruan në rrjetet sociale se ai që kërcënoi Dritan Zaganin, komisarin e Fushë Krujës, ka kërcënuar edhe Presidentin e Republikës, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.
Sipas Metës, Kushtetuesja i jep të drejtë presidentit në emërimin dhe shkarkimin e ministrave, veçanarisht atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare
“Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!”, shkruan Meta
Deklarata e Metës
Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!
Dje kryeministri Rama reagoi ashpër ndaj presidentit, duke e quajtur vendimin e tij antikushtetues dhe të turpshëm. Rama shkruante se Cakaj është 1 mijë herë më i ditur se Meta, ndërsa e krahasoi presidentin me “Babalen”.
“Që Presidenti ynë të shkelë Kushtetutën, godasë qeverinë, nëpërkëmbë një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai, duke u marrë paturpësisht me fjalë si të ishte Dëshmitari X…
Oh çfarë marre! Ilir Meta me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës. Pupupu” – shkruante Edi Rama në Twitter.
Javanews/a.cupaj