Seanca e Parlamentit të Maqedonisë e caktuar për të enjten ku duhej të shqyrtoheshin propozim-amendamentet për ndryshimet kushtetuese nuk filloi as pas dy shtyrjeve gjatë ditës nga kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, që më në fund seanca të shtyhej për të premten.
Kjo për shkak se kryeministri Zoran Zaev nuk ka arritur një marrëveshje me Lëvizjen Besa të opozitës, dy votat e së cilës do të arrinin shumicën e kualifikuar prej dy të tretave të nevojshme për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Amendamentet kushtetuese do ta ndryshojnë emrin e vendit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, pastaj do të bëhen ndryshime të preambulës së Kushtetutës dhe se si do të figurojë shtetësia nëpër dokumentet personale.
Për këtë të fundit, opozita shqiptare kërkon që fjala “maqedonase” të mos përdoret për komunitetet jomaqedonase, por vetëm “qytetar i/e Republikës së Maqedonisë Veriore”. Kryeministri Zaev është shprehur i gatshëm që referenca “qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” të përdoret për komunitetet “më të vogla si shqiptarët, turqit, serbët, etj.”, siç është shprehur, “sepse ata nuk janë të përkatësisë etnike maqedonase dhe kjo nuk duhet t’u imponohet atyre”.
Mirëpo, kjo, si duket ka luhatur ndonjë prej deputetëve të grupit të tetëshes së përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja, të cilët dihej se do të votonin pro amendamenteve kushtetuese. Ata duan që të mbetet formulimi i arritur në Marrëveshjen e Prespës midis qeverive greke dhe maqedonase për shtetësinë ku do të shkruhej “maqedonase / qytetar i/e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, sepse kjo do ta forconte çështjen e identitetit maqedonas, sipas tyre.
Kryeministri maqedonas tash nuk është i sigurt se a do të arrihet shumica e nevojshme për votimin e këtyre ndryshimeve. Nëse nuk bëhet, ai ka paralajmëruar se do të thërritet Këshilli Qendror i partisë së tij Lidhja Social Demokrate për të dhënë përgjegjësi.
Nga ana tjetër, kryetari i VMRO-së opozitare, Hristijan Mickovski duke folur para një grupi protestuesish prej dhjetëra vetash që kanë bllokuar bulevardin kryesor para parlamentit, akuzoi zotin Zaev se po përpiqej që përmes dhunës dhe kërcënimeve të detyrojë deputetët të votojnë për ndryshimin e emrit të vendit.
Ndryshimi i emrit të republikës ish-jugosllave përmes amendamenteve kushtetuese del nga Marrëveshja e 17 qershorit në Prespë midis qeverive të Shkupit dhe Athinës dhe kjo do t’ia hapte rrugën Maqedonisë drejt integrimeve më të shpejta në NATO dhe në BE.VoA. (b.an)