Prokuroria e Tiranës ka përfshirë edhe Hungarinë në hetimin e dosjes “Babale”, e cila një vit më parë shkaktoi mjaft zhurmë në vend. Shkak është bërë arratisja e Albert Veliut, i njohur me nofkën “Dëshmitari X”, i cili është larguar nga Kosova dhe ka kërkuar azil politik në shtetin hungarez. Për këtë arsye, gjatë hetimeve intensive prokurorët e Tiranës i kërkojnë Hungarisë ekstradimin e Albert Veliut, për llogari të hetimeve që tashmë nuk po zhvillohen më pranë Krimeve të Rënda.
Ndërkohë, gjatë veprimeve hetimore janë pyetur mjaft persona të tjerë, mes tyre edhe zyrtarë të lartë të Shërbimit Informativ Shtetëror, por edhe ish-kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.
Qëllimi i Prokurorisë është të zbulojë sesi u gjet Albert Veliu nga autoritetet dhe sesi u mor dëshmia e tij për një denoncim, i cili konsiderohet nga organet e hetimit si i rremë.
Janë marrë dëshmitë e kreut të Shërbimit Informativ, i cili mbulon sektorin e drogës në vend. Ai ka treguar në fakt se, Albert Veliu nuk është gjetur nga shërbimi sekret, por ai i është vendosur shërbimit sekret në dispozicion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe konkretisht nga kreu i Krimeve të Rënda të asaj kohe, Besim Hajdarmataj.
Ndërkohë është pyetur edhe Besim Hajdarmataj, i cili tha se ka qenë krejt rastësore vizita e “Babales” pranë institucionit që ai drejtonte. “Albert Veliu erdhi në zyrën time dhe më tregoi se do të zhvillohej trafik droge në qytetin e Vlorës dhe se kishte informacione të rëndësishme për këtë episod për të ndarë me ne, e për këtë arsye unë kërkova ndihmën e shërbimit sekret për të zbuluar dyshimet e denoncuara”.
Ish-kryeprokurori ka treguar se nuk kishte regjistruar procedim penal për këto rrethana, që rezultuan më tej të dyshimta dhe të paqena. Prokuroria shton se personi që rezulton të ketë folur me “Babalen”, i quajtur Agron Hyseni, nuk ka ekzistuar kurrë.
Personi me të cilin Albert Veliu improvizoi bisedën e drogës është aktori i improvizuar Fredi Alizoti, që aktualsiht gjendet në qeli. Por, sikurse thonë burime pranë Prokurorisë, hetimet janë zgjatur deri në datën 4 prill.
Pra nuk do të ketë një dorëzim të çështjes në gjykatë, derisa Hungaria t’i përgjigjet letërporosisë së Prokurorisë së kryeqytetit për dorëzimin e Albert Veliut në Shqipëri. Nga ana e tij, Albert Veliu mësohet se ka kërkuar azil politik në këtë shtet./TCH/a.meta