Një histori tronditëse e publikuar dje në emisionin “Stop” ka çuar në pranga dy persona. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi si dhe psikologen 28-vjeçare. Një nënë rrefeu dje se u përball me kërkesën e gjyqtarit për raport seksual dhe shuma parash, vetëm për të siguruar kujdestarinë e fëmijës së saj.
Në kamerën e fshehtë përfshihen disa gjyqtarë dhe psikologia Elona Meçani, që bën edhe rolin e sekseres. Gruaja, denoncuese tregoi dje për kamerat të gjithë kalvarin që i është dashur të përballojë, duke blerë me euro fëmijën e saj.
Gjyqtari i Fierit Roland Hysi i kërkonte seks për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës. Po kështu zonja i jep psikologes 500 euro për Hysin, duke i premtuar edhe 500 euro të tjera në mbyllje të gjyqit.
Por sot, Drejtoria Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Tiranë kanë kryer ekzekutimet e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
Kjo gjykatë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit:
– R.H., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier;
– E.M., 28 vjeçe, banuese në Fier, me detyrë psikologe, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjishëm të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ata ndodhen të ndaluar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
/a.rada