Presidenti Ilir Meta thotë se është në pritje të përgjigjeve të institucioneve për të verifikuar integritetin e ministrave të rinj, jo politikë të emëruar nga Kryeministri Edi Rama.
Për këtë arsye, thotë Presidenti, nuk janë dekretuar të gjithë. Ndërsa ndryshe ndodhi me emrat e ministrave që janë deputetë të cilët u dekretuan menjëherë. Kreu i Shtetit u pyet për mosdekretimin e shkarkimit të Bushatit, por nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Pyetje: Zoti President, Kushtetuta ju jep një rol një rol të rëndësishëm si pikë reference për politikën e jashtme. Ngurrimi juaj për të mos dekretuar shkarkimin e Bushatit dhe për të mos dekretuar zëvendësimin e tij, a është kjo pjesë e një ridimensionimi të rolit të Presidentit të Republikës në politikën e jashtme të vendit?
Presidenti Meta: “Unë po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast. Sikurse e keni vënë re, të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën përsa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues.”
Kreu i shtetit deklaroi se presidenti do të shprehet brenda afateve kushtetuese dhe se ka kërkuar informacion nga institucionet. Ai u pyet për emrin e Gent Cakës dhe dha këtë përgjigje.
Pyetje: “Kushtetuta thotë: Ministri mishëron cilësitë e deputetit. Kandidati i propozuar për ministër të Jashtëm, si ju rezulton deri tani?”
Presidenti Meta: “Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale.”
Meta ka dekretuar deri tani 4 nga emërimet e Kryeministrit Rama për ndryshimet në qeveri, ndërsa 5 emra të tjerë janë pezull. Të gjithë propozimet e padrekretuara nuk janë emra politikë. Ata janë Besa Shahini te Arsimi, Anila Denaj te Financat, Elva Margariti te Kultura dhe Gent Cakaj te Ministria e Jashtme. Por për dekretimin e këtij të fundit, fillimisht Meta duhet të dekretojë shkarkimin e ministrit Bushati, i cili qëndron ende në detyrë
a.cupaj