Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro inspektuan kantierin e hapur të rrugës Tiranë-Elbasan, në segmentin nga rrethrrotullimi i TEG drejt tunelit të Kërrabës.
Duke konfirmuar se tanimë punimet po shkojnë drejt përfundimit, drejtori i Autoritetit Rrugor sqaroi të dhënat teknike të fazës së investimit.
“Jemi në kantierin e Rrugës së Elbasanit, në pjesën fundore të projektit. Kanë ngelur edhe 6% e të gjithë volumit të përgjithshëm të punimeve për të përfunduar. Ka mbetur paketa e shtresave rrugore dhe ajo asfaltike bashkë me elementët e sigurisë rrugore. Pas sigurimit të financimit shtesë të muajit Shtator, ritmi i punimeve është i kënaqshëm dhe ne mendojmë se brenda grafikut të ri të punimeve kjo vepër të mbarojë që kjo pjesë e zvarritur prej shumë vitesh në ndërtim të përfundojë, u shpreh drejtori i ARRSH, Qendro.
Ministri Gjiknuri tha se për shkak të vëmendjes së shtuar në këtë projekt, bashkë me financimin e siguruar për përmbylljen e veprës dhe një menaxhim më të mirë të kontratës, u bë e mundur të zgjidhet ky ngërç shumëvjeçar në të cilin ndodhej ky projekt.
“Sot që flasim jemi në fazën e fundit të punimeve dhe jam i bindur se publiku brenda pranverës do të ketë rrugën të përfunduar dhe të dorëzuar me të gjitha parametrat e nevojshme. Është bërë një punë e madhe vitin e kaluar për të zgjidhur ngërçin dhe problemet juridike të trashëguara por mbi të gjitha për të siguruar financimin shtesë për përfundimin e kësaj vepre që mori më shumë kohë se çduhet për shkaqe që i kemi thënë dhe më parë: projektimi jo i mirë, mungesa e financimeve atëherë kur duhej përpos edhe problemeve tjera të trashëguara të menaxhimit të kontratës. E rëndësishme është që rruga do të përfundojë dhe ne jemi krenar për punën që kemi bërë. Ashtu sikurse zgjidhëm problemin e Bypass-it të Fierit dhe Vlorës, e vumë në vijën e zgjidhjes dhe këtë rrugë”, nënvizoi ministri Gjiknuri.
a.cupaj