Të gjitha kazinotë elektronike, bastoret sportive, si dhe çdo aktivitet tjetër i ngjashëm, kanë pushuar së funksionuari që prej 1 janarit të këtij viti në Shqipëri. Kazinotë elektronike, ashtu siç parashikon ligji aktual në Shqipëri, do të zhvendosen në hotelet me 5 yje.
Por shumë prej këtyre kompanive që më parë operonin në Shqipëri kanë transferuar aktivitetin e tyre në Kosovë. Madje dy prej tyre të verifikuara deri tani vazhdojnë të jenë aktive “online” edhe në Shqipëri, e kur klikohen të transferojnë automatikisht në faqet e tyre në Kosovë, ku edhe operojnë, shkruan sot “Koha Ditore”.
E njëjta gjë vlen edhe për faqet e njohura të huaja që ofrojnë shërbim për baste sportive dhe lojëra elektronike fati, të cilat vijojnë të jenë funksionale. Disa prej tyre janë të bllokuara vetëm kur tentohet të aksesohen në versionin mobile.
Sipas ekspertëve, me gjithë pengesat që mund të vendosin autoritetet, bllokimi i faqeve të huaja të basteve është i pamundur, për shkak të mundësive të pafundme që ofron teknologjia. Kështu që, nëse prej 1 janarit për pjesën dërrmuese të lojtarëve të kumarit në garat sportive bastet janë bërë të pamundura, ky aktivitet vijon normalisht “online”./a.meta