Qeveria e Francës ka përgatitur një plan veprimi për reduktimin e emigracionit të paligjshëm përmes Kanalit të La Manshit drejt Britanisë së Madhe. Së pari Franca do të forcojë kontrollet në porte dhe zonat bregdetare.
Kalimi përmes këtij kanali duhet të ndalet, sepse është „jo vetëm i paligjshëm, por edhe i rrezikshëm”, ka thënë Castaner. Prandaj është në interesin e Francës dhe Britanisë së Madhe, „të bëjnë gjithçka për të penguar ngritjen e rrjeteve të reja të kontrabandistëve”.
Castaner viziton së shpejti Londrën për të koordinuar bashkëpunimin, për të cilin u ra dakord pak ditë më parë. Shkak është numri i lartë i refugjatëve me gomone që kalojnë Kanalin e La Manshit. 504 migrantë, sipas Castaner janë përpjekur vitin e kaluar të kalojnë përmes këtij kanali, shumica nga Irani. 276 vetë kanë arritur në brigjet britanike, 228 janë kthyer pas.
Qeveria në Londër flet për 539 persona që kanë bërë përpjekje të hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe, 80% e tyre nga tetori. Kalimi i Kanalit të La Manshit është i rrezikshëm jo vetëm për shkak të trafikut të dendur me anije, por edhe për shkak të temperaturave të ulëta dhe rrymave detare të rrezikshme. Në pjesën më të ngushtë të tij ky kanal është 40 km.
Sipas mediave britanike, emigrantët vendosen nën presion nga kontrabandistët, të kalojnë në Britaninë e Madhe para daljes së këtij vendi nga Bashkimi Europian, sepse pas kësaj do të forcohen më shumë kontrollet kufitare./a.meta