Kryetari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela mbrojti veten e tij dje para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Teksa kishte zgjedhur të mos pajtonte një avokat mbrojtës në seancën dëgjimore, Çela shprehu kundërshtinë për raportin e DSIK.
Sipas tij, DSIK duhet të bazojë mendimin e saj në letra zyrtare dhe jo në letra anonime. Ai ceku se çështjet në raport kishin të bënin me vendime pronash në Ksamil dhe parkun kombëtar të Butrintit, por nuk dha mjaftueshëm detaje mbi këto akuza, përveç kundërshtimit të tyre.
“Se kuptoj si DSIK më nxjerr të papërshtatshëm me letra anonime. Të nxjerrë një prove të vetme DSIK e unë jap dorëheqjen”, sfidoi Alltun Çela.
Ai më pas e ndali theksin edhe tek sqarimi për pikëpyetjet e tjera të ngritura gjatë seancës.
Në lidhje me denoncimin e shtetasit H. M., Çela deklaroi se ky i fundit kishte punuar si shef urbanistike në Sarandë dhe ishte përgjegjës për gjendjen që qyteti ishte sot.
“Më akuzon se i kam bërë presion, por presion kam bërë vetëm me ligjin”, deklaroi Çela.
Ai shtoi se kishte ftuar shtetasin H. M. si ekspert në 2 çështje civile sepse gjykata kishte vetëm 2 ekspertë të tillë dhe kjo thirrje ishte bërë pasi vendimi i tij ishte hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit.
Për sa i përket pretendimit se kishte marrë një çështje në shqyrtim 2 ditë përpara shortit, Çela u shpreh se konstatimi ishte i gabuar.
Ndërkohë për denoncimin e shtetasit F. K deklaroi se vendimet nuk kishin përplasje, por ky i fundit e akuzonte se nuk arrinte ta regjistronte dot pronën në hipotekë.
Kryegjyqtari Alltun Çela sqaroi edhe denoncimin e një qytetari për vizitën në Kanada.
Ai deklaroi se kishte vizituar të afërmit, dhe pse pranoi se ishte takuar me një shtetas për të cilin kishte marrë vendime.
Seanca vijoi më tej edhe me pyetje nga përfaqësuesja e ONM, Mia Rosin dhe nga relatorja e çështjes, Genta Tafa Bungo. Pyetjet e tyre u drejtuan në lidhje me tokën 400 m2 me vendim bashkie dhe shtëpinë tek fabrika e biskotave, ndërsa kryegjyqtari dha shpjegimet e tij. (Tema)