Rey Manaj është transferuar me urgjencë në spitalin universitar të Granadas, pasi pësoi një goditje në fytyrë gjatë ndeshjes që skuadra e tij Albacete ka zhvilluar në transfertë ndaj Granadas. Sikurse shkruajnë të gjitha mediat prestigjoze spanjolle, përfshirë “AS” dhe “Marca”, vetë klubi ku luan shqiptari ka njoftuar se sulmuesi ka pësuar një traumë të trurit dhe priten rezultatet e testeve për të mësuar mbi gjëndjen e tij.
Gjithçka ka ndodhur në minutën e 23’ të ndeshjes, kur Manaj fitoi duelin ndaj German për një top të diskutueshëm dhe mori kontrollin e topit. Mbrojtësi ngriti këmbën në tentativë për të larguar topin, por arriti me vonesë dhe goditi me këpucë në fytyrë sulmuesin shqiptar të Albacete.
Një goditje kjo që shkaktoi rrëzimin pa ndjenja të Manaj në fushë, me një përplasje të fortë. E menjëhershme ishte ndërhyrja e ndihmës mjekësore për të asistuar sulmuesin e kombëtares shqiptare që luan në divizionin e dytë të kampionatit spanjoll.
Pas rreth 5 minutash ndërhyrje, Manaj u transportua me barrelë, i mbuluar me batanije, jashtë fushe, për tu transferuar menjëherë me urgjencë drejt spitalit. Vetëm karton i verdhë për futbollistin e Granada që i serviri atë dëmtim horror shqiptarit.
Në pushimin mes pjesëve, ka reaguar vetë faqja zyrtare e klubit spanjoll, që tregon se Manaj ka pësuar trauma në kokë dhe se ndodhet në spital. Sakaq, tifozët kanë shprehur solidaritet për sulmuesin kuqezi, ndërkohë që kanë reaguar ashpër ndaj gjyqtarit të takimit, që ndëshkoi vetëm me karton të verdhë Sançezin.
“Rei Manaj është transferuar në spitalin ‘PTS’ për t’iu nënshtruar testeve të ndryshme që diagnostikojnë shtrirjen e traumës në kokës që pësoi pas goditjes së marrë gjatë ndeshjes”, shkruhej në njoftimin e klubit. (Tema)