Vetëm pak muaj nga zgjedhjet e përgjithshme në Izrael, Benjamin Netanyahu duket se po shkon i qetë drejtë një mandati të tretë në krye të vendit. Në favor të shefit të qeverisë është përçarja e grupit më të madh opozitar, “Bashkimit Sionist” të qendrës së majtë.
Kreu i Partisë së Punëtorëve, Avi Gampai, njoftoi papritur shkëputjen nga Tzipi Livni, duke befasuar edhe vetë aleaten e tij, përkrah tij gjatë një aktiviteti që po transmetohej live në televizion.
“Shpresoja dhe besoja se ndryshimi dhe kjo aleancë do të na çonte drejt rritjes, bashkimit të vërtetë dhe mbështetjes reciproke. Unë besoj ende në partneritet, por duhet miqësi dhe t’i qëndrosh marrëveshjeve. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur, prandaj unë largohem. Tzipi të uroj gjithë të mirat.”
Në kulmin e karrierës së tij, kryeministri Netanyahu gëzon edhe mbështetjen e fortë të SHBA-ve. Pavarësisht vendimit të amerikanëve për t’u tërhequr nga Siria, duke lënë vetëm Izraelin, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo siguroi se bashkëpunimi me partnerin historik do të jetë i ngushtë. Prova e radhës për Netanyahun do të jenë zgjedhjet e muajit Prill. Tashmë mandati i tretë i përngjan një rruge të shtruar.
/a.rada