Ambasadori Nesip Kaçi: Ju rrëfej orët e tmerrit pasi morëm radiogramin “SOS” nga ekuipazhi shqiptar. Defekti dhe fortunali që vunë në rrezik jetën e 34 marinarëve
Nga Leonard Veizi
Në udhëtimin e tij të fundit nga Durrësi, vapori 3500 tonësh “Mati”, i prodhuar në Gdansk të Polonisë, transportonte drejt portit të Kostancës 2066 ton mall: konjak, konserva e verë me vulën “Made in Albania”. E megjithatë asgjë nuk do mbërrinte në destinacionin e parashikuar. Në fund të lundrimit 4-ditor “Mati” do të pësonte një aksident fatal, ndërsa pjestarët e bordit…
…Pasditen e 16 tetori 1976 punonjësi i postës së Bukureshtit trokiti në portën e rezidencës diplomatike shqiptare për të dorëzuar një telegram. Me gjysmë zëri, sekretari i tretë i ambasadës, Osman Osmani, vuri në dijeni ambasadorin Nesip Kaçi, për mbërritjen e një lajmi tronditës. “Shoku ambasador, vapori “Mati” ka dhënë “SOS”. Këto ishin fjalët e tij për shefin e ri të emëruar në detyrë vetëm 45 ditë më parë. Për më tej ambasadori Nesip Kaçi, rrëfen, odisenë e ankthshme e të mundimshme për shpëtimin e jetës së 34 marinarëve shqiptarë, në një natë me stuhi të paparë pranë brigjeve rumune të Kostancës:
Cilat ishin masat e para që do të merrnit pas kësaj urgjence?
Kisha një muaj e gjysmë në detyrën e ambasadorit. Nuk dija se si veprohej në këto raste, por puna e parë që bëra, thirra Margaritin, radistin e ambasadës dhe i thashë: “Bëj ç’është e mundur, futu në lidhje me Tiranën e transmetoi telegramin që na ka dërguar kapiteni i anijes “Mati”. Thirra në zyrën time gjithë punonjësit e ambasadës, i vura në dijeni për situatën e ndamë detyrat. Duhej ndërhyrje në të gjitha instancat për t’i shpëtuar jetën ekuipazhit. Ndërkohë radisti më njoftoi: telegramin e mori Radiopërgjimi i Ministrisë së Brendshme dhe Tirana u vu në dijeni. Në orën 17.00, bashkë me Osmanin u nisëm për në Konstancë. Në atë kohë bënte një furtunë e binte një shi i madh që nuk përshkruhet. Distancën 285 km nga Bukureshti në Konstancë e bëmë për dy orë me një “Benz 280”, që drejtohej nga Shyqyri Muça. Shkuam drejt e te drejtori i Portit, gjenerali Hirjeu. Për mbërritjen tonë e njoftuan teksa po dilte nga zyra. Ai u kthye e na priti.
Çfarë ndihme u dha drejtori i Portit?
Më pyeti se ç’më kishte sjellë në atë orë e qamet në Konstancë. I thashë se ç’kishte ndodhur me anijen “Mati”. Theksuam se kapiteni, për defektin e rëndë që kishte pësuar anija, i kishte kërkuar ndihmë organeve portuale, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Gjenerali menjëherë thirri në zyrë ndihmësit e tij e u dha urdhër të prerë të nisej sa më parë te “Mati” rimorkiatori më i madh që kishte porti. Ishim në zyrën e tij, kur na merr në telefon nga Bukureshti këshilltari tregtar i ambasadës sonë Simon Poreci, e më njoftoi se Tirana kërkonte informacion. I shpjegova urdhrin e gjeneralit Hirjeu që një rimorkiator do tërhiqte “Mati”-n për ta futur në kalatë. Gjysmë ore më pas telefonoi nga Tirana zv/ministri i Transportit, Llambi Leka, i cili më pyeti imtësisht për situatën. E njoftova për gjithçka. I thashë se vazhdonte fortunali me 10 ballë det.
A do të arrinte rimorkiatori ta tërhiqte “Mati”-n?
Kapiteneria njoftoi me radio gjeneralin Hirjeu se kishin dërguar te “Mati” rimorkiatorin e madh: “Mihai Viteazu”. Ata raportuan se nga ekuipazhi nuk dilte askush që t’i lidhte litarët, sepse me sa duket dallgët e forta e flakin njeriun në det. Kështu që rimorkiatori u largua ca, se rrezikohej nga ndonjë përplasje. Pas rreth një çerek ore kapiteneria njoftoi se anijes “Mati” në mënyrë të menjëhershme iu fikën të gjitha dritat. Ndërkohë errësira e natës kishte pllakosur krejt portin. Ky njoftim na tronditi të gjithëve. Këtë njoftim ia transmetova zv/ministrit Llambi Leka. Ishte ora 21.30. Në det nuk dukej asgjë, vetëm errësirë e tmerrshme. Pas pak minutash më morën përsëri në telefon nga Tirana. Ishte Adil Çarçani, atëherë zv/kryetar i parë i Këshillit të Ministrave. Më pyeti se ç’po bëhej për të shpëtuar njerëzit, e më dha disa porosi.
Do të kishte ndërhyrje të strukturave të tjera në zgjidhje të situatës?
Iu luta gjeneralit që nga zyra e tij të lidhesha me Ministrinë e Jashtme. Ora po shkonte 22:00, por për fat u ndodh në zyrë një nga zv/ministrat, Kornel Pakosta, të cilit Osmani, në emrin tim, i shpjegoi problemin dhe i kërkoi të ndërhyhej me helikopterë për të shpëtuar njerëzit tanë. Ai na garantoi se do merrej vetë me këtë çështje e do na njoftonte rezultatin. Pas disa minutash më telefonoi e me tha se ishte lidhur me komandantin e forcave ajrore të Konstancës dhe ai i kishte thënë se, kjo punë nuk zgjidhej natën pasi bëhej një stërvitje ushtarake në kuadrin e Traktatit të Varshavës dhe ishte vendosur që deri në mëngjes të mos ngrihej në ajër asnjë helikopter apo avion ushtarak, ndryshe do të goditej nga artileria kundërajrore. Në këto rrethana insistova të flisja me ministrin e Mbrojtjes. Më lidhën me telefonin e shtëpisë të ministrit Jon Koman.
Sa i predispozuar ishte ministri rumun i Mbrojtjes?
I kërkova të urdhëronte nisjen e helikopterëve për nxjerrjen e njerëzve tanë nga deti. Ai më tha: “Gjendjen dhe situatën e vaporit shqiptar e di, se me ka informuar zv/ministri i Jashtëm, por kjo kërkon pak kohë sa të njoftojmë partnerët tanë të jashtëm në stërvitjen ushtarake, që po zhvillohet në atë rajon, e t’i shpjegojmë motivet e ngritjes së dy helikopterëve tanë. Sa të kryhen këto veprime të ndërhyhet me rimorkiatorë”. Ai foli vetë me drejtorin e Portit. Ndërkohë kapiteneria njoftoi se nga deti kishin dalë dy persona të huaj, ishin kapur nga roja bregdetare dhe ishin izoluar në zyrat e sigurimit të ushtrisë. Na shkoi mendja se mos ishin marinarë e “Matit”. I thamë gjeneralit të shkonim e t’i shikonim. Fillimisht ai mendoi se ndoshta ishin zbulues sovjetikë por na lejoi të takoheshim me personat e kapur nga roja bregdetare.
Shkuat vetë apo dërguat njeri për ta vërtetuar këtë dyshim?
Osmani kërkoi të shkonte me Shyqyrin, të shoqëruar nga një rumun. Unë qëndrova në zyrat e portit. Për pak kohë Osmani më mori në telefon dhe na tha se dy personat e kapur nga roja bregdetare ishin marinarë shqiptarë, të rinj, rreth 25-vjeç. Ata i kishin thënë: “Mati” është thyer e ndarë në dy pjesë. U hodhëm në det me salvaxhente, por goditjet e dallgëve qenë aq të forta sa na i shkëputen salvaxhentet dhe rrobat nga trupi. Për të dalë në breg me not vuajtëm shumë. Anija jonë nuk është larg nga bregu, rreth një milje, fortunali e ka hedhur midis dy shkëmbinjve dhe sikur ka zënë vend. Anija nuk ka asnjë lidhje me tokën dhe nga çasti në çast mund ta përmbysë deti. Ne sa dolëm në tokë na kapi roja bregdetare. Ushtarët na dhanë nga një kapotë se ishim lakuriq. Na mjekuan dy infermiere, të cilat na lyen trupin me alkool se ishim gjysmë të ngrirë nga uji shumë i ftohtë. Se si kemi shpëtuar të gjallë, një zot e di”.
A mundët të merrnit informacion për gjendjen e ekuipazhit brenda anijes?
Shkova vetë tek pika ushtarake ku ishin dy marinarët tanë. Kërkova ndihmë për t’u lidhur me anijen. Shoferit ynë ia thotë këtë gjë një ushtari të ndërlidhjes i cili u përgjigj pozitivisht. Ushtari tha se lidhjen do ta bënte me mjete rrethanore, mjafton që në anije të kishte një radist që të njihte alfabetin “mors”. Ai bllokoi njërin nga fenerët e Benzit, u fut në makinë në vendin e shoferit dhe filloi të jepte me drita sinjale në drejtim të anijes. Ekuipazhi i anijes, që priste me pa durim ndihmë nga toka, e kuptoi se dikush nga bregu kërkonte të hynte në lidhje me ta. Një llambë e vogël elektrike nga brenda dritares së anijes filloi të jepte sinjale në drejtim të bregut. Ata pyesnin: “Kush jeni?” Ne u përgjigjëm: “Jemi ambasada, na thoni a jeni të gjithë mirë?” Ata na u përgjigjen se ishin mirë pa dëmtime në njerëz, por nuk dinin fatin e dy marinarëve që ishin hedhur në det. U thamë se ata kishin dalë në tokë dhe i njoftuam se së shpejti do fillonte evakuimi i tyre nga anija me helikopterë. Ata u gëzuan shumë nga ky lajm, por kërkuan që të niste sa më shpejt ndërhyrja me helikopterë. Ne e dinim orën e saktë kur do shkonin helikopterët mbi anije, por atyre s’u thamë gjë. Duhej pritur edhe tre orë. Këto ishin tre orë tmerri.
Helikopterët shpëtuan jetën e 34 marinarëve
Ora 05.00. Dita po agonte, gjithçka filloi të gjallërohej e të dukej qartë. Ndërsa në orën 06.00 zhurma shurdhuese e motorëve të fuqishëm të dy helikopterëve tregoi se aksioni për evakuim kishte nisur. Duke kujtuar çastet emocionuese, ambasadori Nesip Kaçi tregon: “Helikopterët tip ‘Puma’ prodhim francez, u ngritën papritur nga një pistë fluturimi fare pranë nesh. Ata kryen një fluturim vëzhgimi, pastaj njëri prej tyre lëshoi litarët që mbanin në fund një kolltuk metalik. Pamë që një marinar u ul në kolltuk, u lidh mirë dhe bëri shenjë me dorë se ishte gati. Ndërkaq helikopteri u ngrit dhe e pruri marinarin në breg, 100 metra larg nesh. Gjatë kohës që helikopteri i parë u shkëput nga anija me marinarin e parë, në anije u ul helikopteri i dytë, i cili mori një marinar tjetër. Kjo punë vazhdoi deri sa i fundit doli nga anija kapiteni. Puna për nxjerrjen në tokë të ekuipazhit “Mati”, me 34 vetë, zgjati rreth 3 orë. Gjithçka u filmua nga fotoreporterët e televizionit e të gazetave. Në të vërtetë kjo punë mund të kryhej me 2 fluturime, pasi në dispozicion na u vunë helikopterë desantimi të ushtrisë me kapacitet 25 veta. Pjesëtarët e ekuipazhit i morëm me një autobus e i çuam në një magazinë veshmbathjeje në Konstancë, se ata kishin dalë nga anija me veshjet e punës pasi të gjitha sendet e tyre personale kishin mbetur në pjesën e anijes që e kish mbuluar uji. Pas kësaj hëngrëm drekë dhe i nisëm me tren për në Bukuresht. Tek stacioni i trenit i Bukureshtit në “Gara de Nord” ekuipazhin e vaporit “Mati”e priti këshilltari tregtar i ambasadës Simon Poreci dhe sekretari i parë Idriz Shehu. Disa ditë më vonë ata i nisëm për në Tiranë me linjën ajrore “Tarom”.
Radiogrami: “Na ndihmoni, po mbytemi”
Tepër urgjent – Ambasadës shqiptare – Bukuresht: “Më datën 12 tetor mbërritëm në radën e Konstancës. Anija pësoi një defekt të rëndë, iu këput palla e timonit. Menjëherë njoftuam organet portuale, dhe i kërkuam të na rimorkiojnë e të na futin në port, por nuk kemi asnjë përgjigje, me gjithë kërkesat tona të përsëritura. Jemi në mëshirën e fatit sepse anija ikën ku e shpien dallgët. Ka fortunal që arrin deri 10 ballë. Nga çasti në çast gjendja bëhet tepër e rrezikshme për jetën tonë. Kemi dhënë ‘SOS’. Nuk hymë dot në lidhje me portin e Durrësit. Ndërhyni. Presim ndihmë. Kapiteni i vaporit ‘Mati’ Adem Jaupi”.
Telefonata: Udhëzimet e Adil Çarçanit
“Ç’po bëhet për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë? Njoftimet që na dhatë nëpërmjet shokut Llambi Leka tregojnë se jeta e ekuipazhit të vaporit “Mati” është vënë në rrezik të madh. Kërkoni nga qeveria rumune që të bëhet ç’është e mundur, të dërgohen helikopterë nga ajri, për të shpëtuar jetën e njerëzve. Ndërhyni në instancat më të larta, në të kundërt, në bazë të konventave ndërkombëtare të detit, gjithë përgjegjësia bie mbi qeverinë rumune. Vapori ynë është i linjës Durrës-Konstancë dhe është në portin e tyre. E kanë të dera e shtëpisë dhe nuk mund të pranohet një indiference e tillë nga ana e tyre. Për çdo zhvillim na njofto”.
Tirana zyrtare: Në mesnatë notë proteste për ambasadorin rumun
“Në mesnatë, Tirana thirri në Ministrinë e Jashtme ambasadorin rumun Jon Stojan dhe zv/ministri Ksenofon Nushi, i dorëzoi një notë, ku protestohej ashpër për mosdhënien e ndihmës nga autoritetet rumune për ekuipazhit e anijes “Mati”. Ndërkohë kapiteneria na njoftoi se në vendin ku ndodhej “Mati” nuk hynte dot rimorkiatori për shkak të shkëmbinjve nënujorë. Ishte ora 01 i datës 17 tetor. Duheshin dhe 5 orë të shkonte ora 6 i mëngjesit kur do ndërhyhej me helikopterë nga ajri, sipas asaj që na komunikuan autoritetet rumune”, rrëfen ambasadori Nesip Kaçi.
Dëmshpërblimi: Sigurimi i vaporit në “Lloyds” – Londra
Në epilogun e kësaj historie, ambasadori Nesip Kaçi sqaron: “Anija ‘Mati’ dhe malli ishin siguruar nga RP e Kinës në Londër në shoqërinë e sigurimeve: ‘Lloyds’. Gjyqi ndërkombëtar i dha të drejtë palës shqiptare. Ajo që ndodhi me vaporin ‘Mati’ mund të anashkalohej në qoftë se pala rumune do kishte shkuar në ndihmë që në çastin kur kapiteni i anijes Adem Jaupi lajmëroi organet portuale për defektin e rëndë që pësoi në radën e Konstancës. Në atë kohë fortunali nuk kishte filluar ende”.
Nga rrëfimi i Luan Jaupit, djali i kapitenit Adem Jaupi: Babai shpëtoi kasafortën me dokumenta sekrete. Ekuipazhi i mbijetoi të ftohtit duke pirë konjak
Tanimë nuk jeton, por ai ishte një nga kapitenët legjendë të flotës detare shqiptare. Adem Jaupi, një ish partizan, e komandant anijesh luftarake pas lufte, vitet e fundit të punës do t’i kalonte si kapiten në anijet e transportit. Djali i tij Luani, rrëfen atë çka ka dëgjuar me dhjetëra herë nga goja e kapitenit të anijes “Mati” i cili ka theksuar se padyshim në rast se anija do të ndihmohej nga autoritetet rumune, ajo do të shpëtonte. Ai thotë: “I fundit që u largua nga anija më helikopterin rumun që evakuoi ekuipazhin shqiptar, ishte kapiteni i anijes, babai im, i cili mori me vete edhe kasafortën metalike në të cilën mbaheshin dokumente të anijes dhe të tjera që cilësoheshin dokumente sekret. Helikopteri nuk ka shkuar gjatë natës së stuhisë ku anija u nda më dysh, sepse atë natë në zonën afër portit të Kostancës zhvilloheshin manovra ushtarake nga ushtria ruse. Ekuipazhi ishte detyruar që, nga ora 23.50 e 18 tetorit 1976, e cila është ora që u mbyt anija, e deri në mëngjes rreth orës 06.00 të ditës tjetër të mbijetojë në sipërfaqen që nuk u zhyt. Era dhe të ftohtit është duruar nga marinarët vetëm në sajë të kurajos së tyre dhe konjakut që përdorën për t’u ngrohur disi. Madje sasira të mëdha konjaku u morën pas disa ditësh nga popullsia vendase, pasi anija “Mati” ishte ngarkuar në bord me konjak, verë, konserva dhe tekstile”. Gjithsesi, shton Luan Jaupi, ekuipazhi i anijes u lavdërua për përpjekjet që bëri për të shpëtuar anijen. Ai thotë se pas mbytjes së anijes, babai i tij qëndroi edhe afro një muaj në Rumani sepse nga Shqipëria u dërguan katër grupe verifikimi për të parë nëse mbytja e anijes ishte gabim njerëzor apo përgjegjësi e kapitenit dhe ekuipazhit. Në fakt një gjë e tillë nuk u konstatua asnjëherë, ekuipazhi ishte treguar heroik në përpjekjet e tij për të shpëtuar anijen e për të mbijetuar. Pas kësaj në Rumani u zhvillua gjyqi ndërkombëtar. Sipas ligjeve, “Mati” u zhdëmtua nga shoqëria në të cilën ishte e siguruar. Me paratë që u dhanë nga zhdëmtimi, shteti shqiptar duke shtuar një kontribut modest, bleu anijen “Arbëria”. Pas ngjarjes kapiteni i njohur mori komandën e një transoqeaniku 12 mije tonësh.
Raporti i avarisë hartuar nga kapiteni Adem Jaupi pas mbytjes së anijes
Anija avullore “Mati” u nis nga Durrësi në orën 10.30 të datës 11.10.1976 për në Kostancë me ngarkesë rreth 2066 ton që përbëhej nga: bitum, tela bakri, konjak, konserva, verë dhe tekstile. Anija mbërriti në radën e portit të Kostancës në orën 04.50 të datës 15 tetor, pas katër ditësh lundrim. Në kohën e mbërritjes deti ishte 2 ballë dhe anija hodhi spirancat në det, më pas komunikoi me oficerin e kapitenerisë për të mësuar kohën e hyrjes në port. Nga oficeri, ekuipazhit iu tha se anija do të futej në port të nesërmen, herët në mëngjes, ne datën 16 tetor. Po atë ditë në orën 13.00 pranë anijes erdhi motoskafi i pilotit, i cili kërkoi që të lëviznim nga pozicioni ynë, pasi duke qenë në afërsi të kanalit të hyrjes në port, pengonim lëvizjen e anijeve.
Për këtë arsye menjëherë ngritëm spirancën dhe në orën 14.03 vajtëm në një pozicion tjetër, që ishte më pranë portit për të qenë të mbrojtur nga era dhe deti meqenëse të nesërmen do të futeshim në port. Mëngjesin e ditës tjetër koha filloi të keqësohej dhe deti shkoi në një fuqi 4-5 ballë, por autoritetet e portit nuk erdhën për të na njoftuar që të hynim. Ne përsëri kërkuam prej tyre që të futeshim në port, por oficeri i kapitenerisë na tha se futja jonë nuk do të bëhej atë ditë, por pas dy ditësh, të hënën në mëngjes në datën 18 tetor. Nga ana jonë duke parë kohën që sa vinte e përkeqësohej, po vazhdonim ta mbanim anijen në gadishmëri. Në orën 00.30 të datës 17 tetor, me qëllim që të evitohej kallmimi i spirancës për shkak të erës dhe detit të fortë, hodhëm edhe një copë gadinë të spirancës së majtë në ujë. Gjatë kësaj kohe në anije ndiheshin lëkundje të forta gjatësore dhe anësore për shkak të erës së fortë. Në orën 06.25 oficeri i shërbimit, Stefan Thomaj, diktoi në timonin e timonierisë rrjedhje vaji me shumicë. Ishte çarë tubi i vajit të sistemit të timonit dhe tre vetë së bashku edhe me Vlash Kurajën pamë se trupi i makinës së timonit në vendin ku ndodhen cilindrat ishte thyer dhe nga lëvizjet rrotulluese të pallës së timonit të saj të goditjeve të dallgëvë në të, shkaktonte thyerje të mëtejshme në vazhdim.
Për të ndaluar një gjë të tillë, shkatërrimin e mëtejshëm të makinës së timonit dhe vetë pallës, bllokuam krahun e braçimit mekanik duke e fiksuar atë me kavot e avarisë. Në këtë mënyrë bëmë që anija të manovronte drejt e pa rrezik për eliçen. Duke vlerësuar avarinë e shkaktuar, në orën 07.10 ne njoftuam me radiogamë kapitenerinë e portit dhe kërkuam që të dërgoheshin menjëherë dy rimorkiatorë dhe piloti për futjen e anijes në port, ose në radën e brendshme, pasi anija ishte jashtë gadishmërisë për drejtim, aq më shumë që kushtet meteorologjike ishin mjaft të rënda për anijen. Duke qenë se deri në orën 10.00 nuk morëm asnjë përgjigje, në 10.10 kërkuam përsëri nga Navlemari dhe kapiteneria e portit që të dërgonin dy rimorkiatorët dhe pilotin që të futeshim në port. Pikërisht në orën 10.00 u këput stopuesi i spirancës së majtë. Era dhe deti ishin 7-8 ballë dhe vazhdonin lëkundjet gjatësore dhe gjerësore të anijes. Në orën 11.00 njoftuam urgjentisht me telegram ambasadën tonë në Bukuresht për gjendjen e rëndë që ishte krijuar për anijen, në mënyrë që ata të ndërhynin për futjen e menjëhershme të anijes në port. Nga kjo orë, deri në mbrëmje i kemi dërguar disa radiograma portit për dërgimin e rimorkiatorëve.
Vetëm në orën 19.35 autoritetet e portit të Kostancës na kërkuan të njoftonim pozicionin e anijes tonë, të cilin ne e dërguam menjëherë. Duke parë se autoritetet e portit nuk po merrnin asnjë masë si dhe gjendjen e rëndë të detit dhe avarinë që kishim pësuar, nga ora 15.57 filluam të punojmë me mashinë përpara si dhe në orën 19.00 hodhëm spirancën e djathtë, në fillim tre copë, me qëllim që anija të mbante pozicionin e saj. Në orën 21.42 autoritetet e portit të Konstancës na njoftuan me radiogram se “meqenëse jeni në rrezik dhe kërkoni ndihmë shpëtimi, ju japim sipas marrëveshjes së Llojdit e tipit “no cure, no pay” dhe për këtë na njoftoni!
Ne në orën 21.55 u përgjigjëm se anija nuk është në gjendje rreziku për të kërkuar shpëtim, por ka avari në timon për të cilën kemi kërkuar dhe kërkojmë që të futemi shpejt në port. Në orën 00.00 si rrjedhim i kallmimit të spirancave nga deti dhe era e fortë, anija u spostua nga pozicioni i orës 14.03 të datës 15 tetor në një largësi prej 1 kb në drejtim 220 gradë. Në mëngjesin e datës 18 tetor, era dhe deti ishin 8-9 ballë dhe pavarësisht masave që morëm, kishte momente që frenat e vinçit nuk mbanin dhe në këtë kohë u ça bazamenti i vinçit të spirancave, gjë që rrezikoi anijen. Duke parë se situata për anijen bëhej më e rëndë dhe mund të kishte pasoja të rënda për anijen dhe ekuipazhin, në orën 14.00 njoftuam urgjentisht kapitenerinë e portit që të dërgonte ndihmë shpëtimi sipas kushteve që ata kishin kërkuar. Rreth orës 14.30 nga lëkundjet e rënda që kishte anija, radiodhënësi i anijes ra nga bazamenti dhe e vumë më pas në një kolltuk duke e mbajtur me dorë që të ndërlidheshim. Në këtë kohë ndërlidhja me portin e Durrësit u ndërpre, kurse me portin e Kostancës pati ndërlidhje deri në momentin e fundit.
Në këtë kohë anija ishte në një pozicion ku thellësia e detit ishte 11 m. Në orën 17.30 pamë se dy rimorkiatorët dolën nga porti dhe erdhën afër nesh, por asnjëri prej tyre nuk u afrua pranë anijes tonë më shumë se 1 kb. Kur pamë se po afroheshin rmorkiatorët, ne ishim bërë gati për spirancat, hedhjen e cimave etj. Rimorkiatorët bënë disa xhiro në det dhe u larguan duke u futur në port, pa bërë asnjë veprim, për të cilin më pas na njoftuan se anija juaj mund të ketë rënë në tokë. Duke qenë në këto kushte në orën 18.15 dhamë sinjalin SOS, për të cilin rumunët nuk u përgjigjën fare. Pavarësisht kësaj, ne kërkuam nga kapiteneria e portit arsyen se përse nuk jepej ndihma kur rimorkiatorët u afruan dhe anija ishte në lundrim. Pas orës 20.00 i gjithë ekuipazhi përpiqej me anën e manovrimit të mashinës dhe spirancave për të evituar kallmimin e anijes drejt bregut, megjithëse ajo në sajë të detit të fuqishëm kallmonte drejt bregut. Duke parë këtë situatë të rëndë, në orën 22.40 vendosëm të bënim një përpjekje të fundit për të shpëtuar anijen duke u munduar të fiksonim timonin në 10 gradë djathtas, të ngrinim spirancën e majtë dhe me gjithë forcën e mashinës përpara, të afroheshim me forcat tona pranë hyrjes së portit.
Prej orës 22.40 deri 23.35 filluam dhe ngritëm spirancën e majtë duke mbajtur të djathtën me tre copë në ujë dhe duke i dhënë me gjithë forcën mashinës përpara. Në këtë kohë anija vazhdoi të rrotullohej majtas dhe era e deti i fortë e sollën me pozicionin e bashit drejtuar në tokë. Në orën 23.50, duke parë situatën pa zgjidhje, u dha urdhri për braktisjen e anijes me të cilin i gjithë ekuipazhi i anijes i veshur me xhaketat e shpëtimit u grumbullua në kuvertën e sanalleve dhe filluam hedhjen e raketave të fatkeqësisë. Gjatë kësaj kohe, ekuipazhi bëri ndërprerjen e karburantit, bllokimin e mazutit dhe furrave, ndërsa sistemin e avullit e lamë të hapur që të mos krijohej eksplozion. Në këtë kohë anija goditej në tokë me gjithë karenën e saj, gjë që solli pas 2-3 minutash këputjen e saj në dy pjesë. Uji mbyti të gjithë lokalet e poshtme dhe u ndërprenë të gjitha furnizimet energjitike në anije. Në këtë kohë nga ana jonë u dha alarmi për hedhjen në det të dy katerave pneumatikë dhe të sanalleve të shpëtimit, por era dhe deti i fortë i këputën mëse një herë cimat e tyre, pa i dhënë mundësi ekuipazhit për hipjen në to. Bashkim Bushi u hodh në det për të liruar një sanall që përplasej me bordin, por ishte e vështirë.
Për të ndihmuar atë shkon edhe marinari Beqir Xhaferri dhe pas dy orësh lufte në det, ata arritën të dalin në breg ku u diktuan nga rojet e kufirit rumun dhe më pas u kontaktuan nga personeli i ambasadës tonë me në krye ambasadorin Nesip Kaçi. Marinarët njoftuan për gjendjen e anijes dhe për nevojën urgjente që duhej dhënë ndihmë për shpëtimin e ekuipazhit të mbetur në anije. Pas largimit të sanallit, ekuipazhi nuk u urdhërua të hidhej në ujë, por të zinte vendet më të lata në pritje të ndihmës që mund të vinte nga bregu. Në këtë gjendje morëm masa për grumbullimin e dokumentave të anijes dhe djegien e dokumentave të rëndësishme me karakter sekret. Rreth orës 03.00 të datës 19 tetor u ndërlidhëm me elektrikun e dorës me shokët e ambasadës që ndodheshin në breg, të cilët përdorën dritat e makinave, kurse autoritetet rumune gjatë kësaj kohe nuk bënë asnjë veprim për ndërlidhje, sinjalizim apo shpëtim të ekuipazhit. Në orën 07.20 të datës 19 tetor një helikopter erdhi nga bregu dhe filloi nxjerrjen e njerëzve një nga një deri sa përfundoi në orën 11.00. I fundit nga anija doli kapiteni. Për këtë ngjarje mendojmë se mbytja e anijes ka ardhur nga forca madhore të detit, ndonëse ekuipazhi ishte i stërvitur për të kryer të gjitha veprimet në bazë të rregullave dhe përvojës detare. Në kushtet që ka qenë anija, ndihma nga autoritetet portuale të Kostancës nuk u dha, gjë e cila po të jepej në kohën që u kërkua nga ana jonë, anija do të kishte shpëtuar.