Nga Alfred Peza
Ka një përpjekje gati- gati në kufijtë e groteskes, për ta mbajtur me çdo çmim gjallë edhe gjatë festave të fundvitit, “institucionin” e protestës në Tiranë. Pavarësisht se studentët, deklaruan se e ndërpresin atë për ta rifilluar në janar, një version i ri “Prometeu”, po bën çmos që ajo të vijojë.
Shpresa me sa duket është për të sajuar gjithçka, në mënyrë që ta mbajnë ndezur zjarrin e protestës, të paktën derisa studentët të rikthehen. E bashkë me ta të rri zgjuar edhe zjarri i ëndrrave të tyre, për të pjekur me duart e të rinjve, gështenjat e klasës së vjetër politike.
Eshtë parë kjo përpjekje tek deklaratat e liderëve politikë të opozitës sonë.
Eshtë parë tek thirrjet e tyre për protesta.
Eshtë parë teksa u refuzuan kategorikisht nga studentët protestues, të marin pozat e zëdhënësve të tyre, që të na garantojnë se protesta e tyre do të vijojë.
Gjithnjë e më të pafuqishëm për ta nxjerrë vetë në rrugë popullin opozitar, liderët e PD dhe LSI, kanë marë trajtën e fëmijëve të dikurshëm që kërcënonin më të mëdhenjtë që nuk i mundnin dot, se “do ia tregonin qejfin” tek vëllai i tyre i madh. Gati gati duke u hakërryer edhe sot, si dikur në fëmijëri: “Mirë, mirë vazhdoni ju sikur ska ndodhur asgjë. Por do ta shihni në janar ju, sapo “ai” të kthehet nga pushimet e fundvitit”!
Ndaj derisa të vijë ajo ditë, liderët tanë politikë vijojnë takimet lart e poshtë nëpër Tiranë e jashtë saj, nëpër konferenca shtypi, në media e rrjetet sociale, duke u përbëtuar se protestat do të vazhdojnë. Madje duke përcaktuar këtë radhë, edhe fundin e qeverisë, të cilën vetë studentët as që e kanë artikuluar ndonjëherë.
Nëse lexon se çfarë shkruajnë e thonë mediat pranë opozitës, atëherë e kupton edhe më qartë stërmundimin për ta mbajtur me çdo çmim, qoftë edhe virtualisht gjallë, frymën e protestës studentore.
Herë duke deklaruar se do ketë një miting nga diaspora.
Herë duke u ankuar se policia nuk po u jep leje mijëra emigrantëve për protesta.
Herë duke i bërë thirrje lumit të emigrantëve që do të protestonin, për ta bërë këtë në oborrin e Presidencës.
Herë duke thënë se përpara Kryeministrisë po proteston vetëm diaspora.
E herë se bashkë me ta janë edhe banorët e Astirit.
E herë tjetër, se atyre u janë bashkuar edhe studentët.
Sa më pak dalin në shesh, aq më shumë aktorë e faktorë citohen, se u janë bashkuar protestuesve. Sa më i vogël është numri i protestuesve përpara Kryeministrisë, aq më e madhe është zhurma opozitare rreth tyre.
Sa më pak janë, aq më shumë lajme prodhohen. Sa më shumë ditë që studentët po kalojnë me pushimet e festave pranë familjeve kudo nëpër Shqipëri, aq më shumë flitet në emër të tyre nga aktorët politike nga selitë e partive në qendër të Tiranës.
Sa më shumë vendime e urdhëra miraton qeveria dhe firmos kryeministri, në favor të zgjidhjes së kërkesave të studentëve të vërtetë, aq më shumë e ngrejnë zërin e pakënaqësisë dhe të dhimbjes së tyre, aktorët dhe faktorët opozitarë.
Kjo lojë me sa duket do të vijojë, edhe në orët e fundit të 2018 , deri në ditët e para të 2019. Me shpresën se duke mbajtur zjarrin e protestës ndezur, opozita do mund të ngrohi duart e ëndrrave të veta, duke djegur shpresat e studentëve të vërtetë!
a.c