Vendimi i Kryeministrit Rama për të ndryshuar gjysmën e kabinetit të tij, ishte temë e diskutimit të premten mbrëma në emisionin ‘Java në RTSH’.
Të ftuar në panel përballë analistëve Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, ishte ministrja e sapozgjedhur Elisa Spiropali, kryeredaktori i gazetës ‘Panorama’ Robert Rakipllari dhe opinionisti Shpëtim Nazarko.
Në editorialin e tij, Zogaj u shpreh se ministrat e larguar e meritonin këtë vendim të Edi Ramës, por lajmin sot e përbëjë të sapozgjedhurit.
Zogaj tha se përveç një apo dy emrave të njohur si politikanë karriere, që mund të kishin qenë në qeveritë socialiste që prej fillimit, siç është Erjon Braçe, ministrave të tjerë u ka rënë “ bingoja”.
Por sipas tij, ata janë përzgjedhur me filozofinë e katapultimit të individëve pa karrierë politike dhe pak të njohur si profile publike drejt e në postet më të larta që presupozohet se finalizojnë një karrierë politike të suksesshme siç është detyra e ministrit, deputetit.
“Retorika i ka gati fjalët për të mbështetur emërime të tilla. Promovimi të rinjve dhe nevoja për shkundje dhe përtëritje nëpërmjet qarkullimit të elitave janë principe me vlerë në shoqërinë e hapur. Por ngjitja në postet me të larta duhet të meritohet nëpërmjet angazhimit të vlerësuar politik e publik. Kjo është rruga për të pasur drejtues, deputetë dhe ministra të përgjegjshëm e me integritet. Postet që dalin si dhurata nga inkubatori apo mënga e kryetarit çalojnë në këtë pikë. Siç jepen, merren. Dhe gjurma që lënë në rastin më të mirë është ajo që fshin vala e detit në rërë” – tha analisti Preç Zogaj.
Ndërkohë që për ministren e ardhshme, deputeten Spiropali, emërimet e kryeministrit ishin surprizuese. ElisaSpiropali u shpreh se nuk kishte dijeni për ministrat e rinj, përfshirë edhe vetë atë. Megjithatë, Spiropali u shpreh se rëndësi nuk kanë emrat dhe angazhimi i tyre politik, por produkti.
“Disa prej tyre kanë qenë zëvendësministra apo drejtues të lartë. Pra njerëz që kanë punuar me kryeministrin dhe ky i fundit është i pari i interesuar që të jenë njerëzit e duhur. Ndaj zgjedhjet e tij nuk duhet të gjykohen. Është e kuptueshme që njerëz brenda partisë do donin të shihni figura politike që i kanë pasur në krah gjatë betejave elektorale” – tha ministrja Spiropali.
Për opinionistin Shpëtim Nazarko, Rama tregoi i bindet më shumë intuitës së tij sesa partisë. Por Nazarko shprehu rezerva teksa tha se kanë rëndësi dhe interes për publikun biografitë e ministrave të rinj. Megjithatë, ai u shpreh se as Edi Rama nuk i shpëtoi dot ‘sëmundjes së njëshit’ ku i pari vendos për gjithçka.
“Unë mendoj se ligji del nga truri i një njeriu gjenial dhe jo nga mendjet e masës që e ngatërrojnë dhe e përziejnë. Kështuqë unë mund ta pranoj rolin e ‘njëshit’ në rastet kur jep një ide apo formulon një ligj që e çon një shoqëri përpara. Por pastaj besoj se betejën e bëjnë batalionet e mëdha” – tha Nazarko në studion emisionit ‘Java në RTSH’.
Për kryeredaktorin e gazetës ‘Panorama’, ndryshimet në kabinet erdhën pasi Rama donte domosdoshmërisht të bënte një gjest politik pas asaj që ndodhi me protestën e studentëve.
“Rama kërkoi të shokonte publikun dhe kështu largoi pjesën më politike të kabinetit. Megjithatë nuk është aq e thjeshtë që të largosh ministra që kanë mbi pesë vite në detyrë dhe që kanë akumuluar pushtet, interesa apo mbështetje. Në këtë pikëpamje mendoj se lajmi është ky; qëRama largoi ministrat më të akuzuar dhe më politikë, Dhe tani mbetet të shihet se çfarë produkti mund të afrojnë të ardhurit e rinj” – tha Robert Rakipllari.
Referuar fjalës së Ramës që e cilësonte si armën më të fortë mungesën e eksperiencës së ministrave, Rakipllari tha se është një logjikë personale e kryeministrit.
“Largimi i disa ministrave që ishin të akuzuar është lajm i mirë. Ky ndryshim i përgjigjet jo vetëm protestës së studentëve, por i përgjigjet përgjithësisht kërkesave të shoqërisë.
Analisti LorencVangjeli tha se pavarësisht se PS-ja ka shumicën e duhur të numrave në parlament, kabineti Rama 2 ngjan si një qeveri teknike.
“Duke larguar pjesën më politike të ministrave të tij, Rama e individualizon edhe më tej qeverisjen e tij. Dhe përballë kundërshtarëve të tij tani ai shfaqet si target i vetëm duke rrezikuar që të shndërrohet nga njeriu që premton zgjidhjen e problemeve, në problemin që duhet zgjidhur”, tha Vangjeli.
***
Paketa “8 plus” e Ramës, studentët i përgjigjen me meme
Vijimi i protestës së një grupi studentësh dhe ekspozita e tyre me ‘MEME’ para Kryeministrisë solli edhe një herë temën më të nxehtë të dhjetorit në studion e emisionit ‘Java’. Përballë analistëve PreçZogaj dhe LorencVangjeli ishin të ftuar një grup protestuesish.
Referuar ofertës së Ramës, në editorialin e tij analisti LorencVangjeli u shpreh se zgjidhjet e pjesshme nuk shërojnë, por zgjasin lëngatën
Vangjeli tha se aritmetikisht, kryeministri ka të drejtë. Teta e kërkuar nga studentët është më pak se Tetë Plus-i që afroi ai. Por sipas tij, politikisht është ndryshe.
“Në aritmetikën politike këto dy shifra janë larg njëra-tjetrës. Sepse kryeministri ka afruar vetëm zgjidhje të pjesshme. Ka afruar një zgjidhje të momentit, të cilës i mungon kurajoja, guximi dhe qasja politike për ta parë të vërtetën e plotë në sy. Duke pranuar krizën e arsimit të lartë, ai ende nuk ka identifikuar se në krizë është gjithë sistemi dhe se Tetë Plus-i i tij vetëm sa shton agoninë e asaj që është destinuar të shembet” – tha analisti LorencVangjeli.
Ai u shpreh se shkaku kryesor i situatës së krijuar me Arsimin e Lartë është masivizimi absurd në universitete.
Me zgjidhjen që afroi kryeministri, sipas Vangjelit, Rama sfidoi edhe studentët, edhe opozitën. Duke e çuar madje, nivelin e retorikës, aty ku do të ishte edhe kufiri i fundëm i dëshirës së pamundur të një qeveritari: premtoi edhe të marrë drejtimin e vetë protestës!”
Ndërkohë studentët në studion e emisionit ‘Java’ shprehën pakënaqësi për ofertën që qeveria u ka bërë. Ata thanë se Edi Rama është përgjegjësi kryesor i situatës dhe se duhet të kishte reaguar më parë.
Pedagogia që drejtonte grupin e studentëve në studion e emisionit u shpreh se Kryeministri duhet t’i kishte kushtuar kohë performancës së rektorëve.
“Ligji i Arsimit të Lartë e detyron qeverinë që të inspektojë punën e universiteteve dhe rektorëve, pavarësisht autonomisë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për arsimin e lartë, por duke nisur që nga ai parashkollor ku ka dështime evidente. E gjithë situata vjen si pasojë e pazareve që rektorët bëjnë me Ministrinë e Arsimit” – tha pedagogia që proteston në krah të studentëve.
Ndërkohë, grupi i protestuesve në studion e emisionit ‘Java’ u shpreh se nisma e tyre do të vijojë edhe në janar. Shkak për këtë vendim janë një sërë problematikash që nuk lidhen vetëm me tetë kërkesat.
“Ne sot paguajmë taksa dhe paratë tona shkojnë për të financuar doktoraturat që janë mbushur me plagjiatura. Largimi i ministres Nikolla nuk zgjidh asgjë pasi Edi Rama është ai që fshihet pas çdo ministri. Ndaj përgjegjësinë duhet ta mbajë vetë ai” – u shpreh grupi i studentëve.
/a.meta