Ndonëse ndihmon punonjësit me paga të ulëta, vendimi i qeverisë që rrit pagën minimale ka dhe pasoja negative. Ai dëmton biznesin, veçanërisht industritë që krijojnë punësim masiv, si ajo e fasonit. Florjan Zekja, i Dhomës së Prodhuesve të Veshjeve, shprehet: “Duke rritur pagën minimale me 2000 lekë, sjell kosto pasi duhen rritur pagesat e të gjithë punëtorëve”.
Rritja e pagës minimale ka kosto të dyfishtë për biznesin. Përveç fondit të pagave, ajo rrit dhe sigurimet që ndërmarrjet duhet të paguajnë në shtet: “Duke patur parasysh që në 90% të rasteve edhe kontributet e punonjësve në fason i paguajnë ndërmarrjet, ky vendim rrit ndjeshëm edhe kostot e sigurimeve”.
Sipas Zekjas, rritja e kostove vjen në një kohë kur industria e fasonit po përballet me rënien drastike të fitimeve si pasojë e zhvlerësimit të euros: “Është ulur me 9% fitimi dhe ulja e euros e nxjerr pa fitim biznesin”.
Sipas të dhënave zyrtare, industria e fasonit punëson rreth 100 mijë vetë. Por, sipërmarrësit paralajmërojnë se biznesi mund të tkurret: “Viti i ri do të na gjejë në vështirësi dhe nuk e di a do të përkthehet në shkurtim punëtorësh apo mbyllje të biznesit”.
Veç zhvlerësimit të euros, fasonistët janë ankuar edhe për mosrimbursimin e TVSH-së nga qeveria, që, sipas tyre, thuajse është ndërprerë që nga fillimi i vitit./TCH/a.meta