Nga Mentor Kikia
Për dy ditë me radhë kam patur një komunikim intensiv në rrjetet sociale me qindra njerëz, thuajse të tërë të panjohur personalisht.
Diskutimi lidhej me disa propozime që unë bëra, nën një titull politikisht provokativ(qëllimisht për të nxitur debatin), lidhur me çfarë hapash konkrete mund të bëjmë ne si shoqëri, për të kërkuar më shumë frymëmarrje dhe liri politike dhe për të shigjetuar ligje konkrete që mundësojnë vjedhjen në mënyrë të ligjshme.
Diskutova gjatë me shumë njerëz, deri në kufijtë e padurimit. E bëra për të kuptuar më shumë dhe për tu bindur edhe më shumë se:
– Nuk është rastësi, që në epokën e luftës së ftohtë ne kishim regjimin më të egër diktatorial në Europë.
– Nuk është rastësi që në periudhën postkomuniste ne kemi tranzicionin më të gjatë në Lindje dhe nivelin më të lartë të korrupsionit qeveritar e shtetëror në të gjithë Europën.
– Armiku më i madh i vendit nuk janë partitë, por vetë shoqëria, njerëzit e gatshëm “të japin edhe jetën për partinë”, të gatshëm ti vënë bishtin më të gjatë gjithkujt që mendon ndryshe nga partitë e tyre.
– U binda edhe se, nga opozita gjithnjë e më shumë po ikin ata që mendojnë e arsyetojnë e po mbesin ata që vetëm bërtasin e shajnë. Dhe kjo e thellon krizën e shpresës.
Por u binda edhe per diçka tjeter. Ka shumë njerëz të tjerë, të vetëdijshëm se ku ndodhet ky vend tani, për çfarë ka nevojë e çfarë duhet bërë.
Ka shumë njerëz të tjerë që e duan këtë vend e duan të jetojnë ndershmërisht këtu. Ka shumë njerëz për të cilët ia vlen të këmbëngulësh të përpiqesh deri në fund.
Ka shumë njerëz që janë të binduar se Shqipëria nuk është vetëm e socialistëve dhe demokratëve që kacafyten mes tyre, në përpjekje për të marrë sundimin.
Ka shumë njerëz që tashmë janë bindur se zëvendësimi i një qeverie të korruptuar me një qeveri tjetër të korruptuar nuk është zgjidhje.
a.c