Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se tarifa e vendosur ndaj mallrave serbe është e drejtë e Kosovës dhe se përmes saj “po e mbrojmë sigurinë kombëtare”.
“Kryeministrja e Serbisë vazhdon t’u dërgojë letra shteteve, i ka dërguar edhe Shqipërisë, për të tërhequr njohjen e Kosovës. Pra përderisa Serbia ka këtë qasje atëherë kuptohet shumë mirë se çfarë kemi vepruar ne” ka thënë Haradinaj.
Ai këto komente i bëri gjatë një aktiviteti në mbështetje të fëmijëve me sëmundjen e autizmit.
Kryeministri Haradinaj ka përsëritur disa herë se nuk do të tërheqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës derisa të ndodhë njohja e Kosovës.
Heqjen e tarifës e kanë kërkuar zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian si dhe Serbia e cila ka vendosur të mos vazhdojë dialogun me Kosovën derisa të shfuqizohet kjo masë nga ana e autoriteteve në Prishtinë.
a.çupaj