Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk ndalet me kërkesën për t’u bashkuar dy komunat e Mitrovicës në një komunë të vetme. Ai në Interaktiv të KTV-së, tregoi se mbajti një debat të hapur me qytetarët në Mitrovicë, ku ka dëgjuar mendimet e tyre për idenë e tij, duke kërkuar kështu nga ta edhe nënshkrimin e një peticioni.E për bashkimin e Mitrovicës, Bahtiri thotë bindshëm se do të ndodhë. Madje, thotë se do të votohet edhe në Kuvend, ashtu siç u votuar për Ushtrinë.
“Ne e patëm një iniciativë ku Kuvendi votoi për një kërkesë drejtuar Qeverisë duke i kërkuar t’i nisë procedurat për kthimin e qytetit të Mitrovicës së Veriut, që të jemi një qytet. Nuk kemi zgjidhje tjetër, prej ardhjes sime në vitin 2013, kam provuar gjithnjë të bëjë gjithçka për qytetarët, me një Mitrovicë të ndarë nuk bën. Kam dashur dhe dua ta stabilizojë situatën”, tha ai.
Bahtiri tha se përpjekjet e tij janë që të jetë vetëm një qytet për, siç tha ai, “qytetarë të qytetëruar të një qyteti”.“Me z.Goran Rakiq kemi pasë përplasje në sy të Apostolovës, nga atëherë nuk kemi pasë kontakte. Pas kësaj ndodhi edhe dorëheqja e kryetarëve në Mitrovicën Veriore. Ata i kanë sytë vetëm kah Beogradi e trupin këndej”, tha Bahtiri.
Kreu i Komunës së Mitrovicës së Jugut, akuzoi nivelin qendror për mospërkrahje sidomos Ministrinë e Pushtetit Lokal e cila refuzoi kërkesën e Bahtirit për bashkim të komunave. (b.an)