Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, nga foltorja e Kuvendit u shpreh sot se, “as vetë opozita që pretendon se po ndjek shqetësimet e studentëve nuk ofron asnjë zgjidhje për ta, por flet në mënyrë eklektike, sa për të bërë qokën e radhës, sepse po u skadonin mandatet”.
Beqaj tha se “nuk është e vërtetë se është ulur buxheti për Arsimin, pasi në vitin 2013 ka qenë 5.7 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2018 është rritur në 7.2 miliardë lekë”.
Ligji i Arsimit të Lartë, sipas deputetit socialist, merr notën vetëm kur të dalë cikli i parë bachelor.
“Megjithë pranimet apo kundërshtimet, ligjin ekzistues duhet ta komunikojmë siç duhet. Me Ligjin e ri të Arsimit të Lartë nuk cakton më qeveria kuota doktoraturash. Një nga kërkesat e studentëve është cilësia e titujve dhe kjo është e domosdoshme, pavarësisht modelit për ta financuar Arsimin e Lartë”, tha Beqaj.
Ai u shpreh se “është një nga çështjet më të lehta, çështja e shtimit të financimit publik nga qeveria”. “Kjo kërkon të ardhura më shumë dhe mund të spostohen prioritetet, por atyre problemeve që janë aty çfarë t’i bëjmë?” – pyet Beqaj.
Pavarësisht mënyrës së financimit, Beqaj argumentoi se “kioskat e titujve dhe të doktoraturave nuk zgjidhen me një urdhër të Kryeministrit, as me një ligj të Parlamentit, prandaj duhen diskutime me studentët për të gjetur instrumentin për të arritur aty”.
“Ju akuzuat se bëmë një ligj që t’i çojmë paratë te privati, por deri më sot asnjë qindarkë nuk është transferuar në institucionet e privatit”, – tha ai.
/a.rada