Nga Mentor Kikia
Nga dita e parë e fillimit të protestës së studentëve, kam shkruar rregullisht dhe po kaq rregullisht i jam bashkuar debateve në studio televizive. Kam synuar të mbështes protestën, si formë e reagimit qytetar, në shërbim të shoqërisë dhe demokracisë, jo vetëm si mënyrë për plotësimin e kushteve ekonomike të studentëve. Për këtë qëllim isha edhe dje në dy debate.
Në të parin, me një koleg dhe një grup studentësh.
Kolegu:
-Si do të veproni në vazhdim? Ju thoni nuk ka bisedime e nuk tërhiqemi derisa të plotësohen të gjitha kërkesat. Por Rama ka thënë se kërkesa për 5% të GDP-së nuk plotësohet. Atëherë çfarë do të bëni, pasi numri i studentëve po reduktohet?
Studentët: E para, kush je ti, se s’të njohim? E dyta, ku merr vesh ti nga buxheti, buxheti është shifra dhe llogari. Ti smerr vesh nga këto. Unë jam në master shkencor në ekonomik. Ti po flet atë që do Edi Rama.
-Më falni u keqkuptuat- ndërhyri kolegu…
-Mos më ndërprit mua, nuk lejoj të më ndërpresin kur flas.
-Po shiko se..
-Të thashë mos më ndërprit- u hakërrye sërish studenti.
E pashë që u keqkuptua çdo gjë. Ndaj ndërhyra unë: Shikoni çuna, kolegu im thjeshtë po pyet si do të veproni se koha mund ta gërryejë protestën dhe mbi të gjitha, a janë kërkesat universitare një motiv për të frymëzuar më tej vetë studentët dhe popullin që ju e keni ftuar të bashkohet? A duhet të shtohen kërkesa të tjera. Besoj i dini pritshmëritë e shoqërisë tek kjo protestë?
-Po kemi dhe një këkesë tjetër. Qeveria të mos na bëjë presion-tha një student.
-Në fakt e kisha fjalën për kërkesa të tjera…
Mikrofonin e merr studenti me kokore ciklisti:
-Dëgjoni ju këtu, studentët do të fitojnë, kauza jonë do të triumfojë sepse kauza jonë është e drejtë. Studentët nuk janë të përcarë, janë të bashkuar, protesta nuk po tkurret, ne po shtohemi. Me ne është i gjithë populli shqiptar. Ne do të fitojmë. Do ta shikoni ju, bashkë me Edi Ramën, do ta shikoni çdo ju bëjmë. Bravo çunat dhe gocat e Vlorës.
-Po dëgjo more djalë se nuk e kisha…
-Jo jo dëgjoni juve, na dëgjoni juve. Ne do fitojmë..
Vura duart në kokë dhe mendova: Kërkesa për arsimim më cilësor është shumë urgjente. Nuk fola më dhe prita fundin e programit. Për fat ishte vetëm një orë.
Më pas në një tjetër emision, përballë kisha një nga pedagogët e Lëvizjes për Universitetin, apo Organizata Politike sic njihet dhe që në shumë raste është vënë edhe në rolin e drejtuesit të protestës dhe anëtarët e saj e kanë përfaqësuar atë në debate publike.
-Protestën po e përçan opozita – tha ai.
-Opozita? Pse? Çfarë interesi ka?
-Sepse studentët po marrin frenat e opozitarizmit dhe PD e LSI dalin jashtë loje?
-Çfarë?
Unë kisha të njëjtën pyetje që e bëjnë edhe shumë të tjerë. Do të ketë protesta një kauzë më të gjërë se ajo universitare, pra a mund të ketë karakter politik, pa qenë në shërbim të një partie të caktuar? A mund ta krijojë ajo shtratin për një lëvizje të re politike?
-Çfarë kërkoni ju, që ne të rrëzojmë Edi Ramën që të vijë Lulzim Basha?
Në fakt ajo që shqiptarët ëndërrimtarë shpresojnë nuk është kjo, por rrëzimi i të gjithë kastës aktuale. Por mesaduket atij lumi të madh njerëzor ia hapën portat e shkarkimit dhe nuk e kaluan në turbina për tu bërë energji.
Pedagogu iu referua shpesh si “Lëvizja studentore”.
Por kjo nuk është një “lëvizje” – i thashë, edhe pse studentët lëvizin nga njëri shesh në tjetrin. Lëvizja ka natyrë tektonike, shkakton tërmete, shkatërron realitete të vjetra e krijon tërren për realitete të reja. Kjo është thjeshtë një protestë. Madje protesta më paqësore dhe qytetare e mundëshme. Aq paqësore, sa edhe studentët që i sulen kryeministrit në publik, qartësojnë shpejt qëndrimin e tyre: Të mos keqkuptohemi, ne nuk duam largimin tuaj nga qeveria. Ne kërkojmë vetëm 8 pikat.
Këta protestues janë një komoditet i madh. Edhe sikur ti organizojë vetë qeveria nuk do të ishin kështu.
Unë personalisht korigjova tërësisht pritshmëritë nga kjo protestë. Por vazhdoj të mendoj se ajo është gjëja më e mirë që i ka ndodhur shoqërisë sonë të paktën dy dekadat e fundit. Nuk dihet se sa vite do të kalojnë që një gjeneratë të bëhet bashkë në një reagim të tillë qytetar, qoftë dhe për kërkesa më modeste se këto të studentëve aktualë.