Memli Krasniqi, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se Ekipi Negociator, e udhëhequr nga bashkëkryesuesit Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, do të jetë bashkë me presidentin Hashim Thaçi në procesin e dialogut me Serbinë.Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se Kosova në dialog do të ketë përfaqësim të përbashkët të Thaçit si president, ekipit dhe dy bashkëkryesuesve që janë miratuar të shtunën e shkuar në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se formimi i Ekipit Negociator është lajm i mirë për Kosovën, por ka thënë se edhe më mirë do të ishte po që se aty do të ishin edhe dy partitë tjera opozitare, LDK-ja e VV-ja.
“Kemi diskutuar për muaj të tërë për një rezolutë të Kuvendit e cila mbi të gjitha do t’i jepte rolin qendror Kuvendit në dialog. Jo vetëm në fund që ia garanton Kushtetuta, por nga fillimi. Është mirë që u bë ky ekip. Ka një bashkëdrejtim nga Limaj dhe Ahmeti, nga qeveria dhe opozita, me pjesëmarrje të përfaqësuesve tjerë opozitarë e komuniteteve, në mënyrë që përfaqësimi të jetë sa më i unifikuar e gjithëpërfshirës e koordinimi me krerët institucionalë të jetë më i mirë se që ishte deri tash”, ka thënë Krasniqi duke shtuar se do të ishte mirë që sa më herët të nisë procesi i dialogut. “Kemi një delegacion shtetëror që ka kompetenca të plota për të udhëhequr bisedimet me Serbinë, por normalisht, meqenëse është diskutuar shumë, në asnjë mënyrë nuk do të thotë që pozicionet e institucioneve kushtetuese, si presidenti, kryeministri e kryeparlamentari nuk do të jenë pjesë e dialogut. Angazhimet e tyre do të vazhdojnë duke filluar nga presidenti që ka qenë bartës i dialogut deri më tash”.
Krasniqi po ashtu ka thënë se roli i presidentit në dialog është caktuar deri tash edhe përmes ndërkombëtarëve, ndërsa, sipas tij, tani Kosova do të ketë opsionin “edhe, edhe”.“Presidenti do të jetë pjesë e dialogut padyshim sepse në fund të fundit bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që e ka mundësuar dialogun, OKB-ja e ka autorizuar apo ngarkuar BE-në dhe përmes rezolutës përfaqësuesen për Punë të Jashtme, ishte zonja Ashton, tash Mogherini, që të jenë ndërmjetësuese.
Përmes saj u është dhënë kompetencë ndërmjetësuesve që të kenë komunikim e të përcaktojnë edhe nivelin e dialogut. Deri tash ishte në nivel presidentësh, por kjo nuk ndryshon sa i përket Kosovës sepse ne nuk do të përfaqësohemi vetëm siç thuhet ‘ose, ose’, por ‘edhe, edhe’. Do të jetë përfaqësim i përbashkët ku do të jetë Thaçi si president, ekipi, dhe bashkëkryesuesit që i kemi miratuar”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas Krasniqit, askush nuk do t’i shkojë askujt pas, por të gjithë do të jenë bashkë. Ai ka shtuar se edhe ndërkombëtarët tash e kanë të qartë që Kosova është gati për dialog. Shefi i GP të PDK-së ka thënë se e sheh procesin e demarkimit si pjesë finale të marrëveshjes. Ka shtuar se patjetër duhet që të gjendet një zgjidhje për të pagjeturit, dëmet e luftës, kompensim financiar për shumë çështje për kosovarët për ngjarjet e viteve të 90-a, e për statusin e Kishës Ortodokse Serbe.
Krasniqi ka thënë po ashtu se letra e Trumpit ka dëshmuar që është vetëm një periudhë e shkurtër kohore për ta shfrytëzuar për dialog. E ka quajtur qëndrim korrekt letrën e tij.
“Nuk mendoj që duhet të paragjykojmë fundin e dialogut. Mendimi im personal është që do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të arrihet marrëveshje. Hapësira kohore është shumë e limituar për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen pas disa muajsh në BE. Është e qartë që ajo që thotë Trumpi e partnerët tanë me muaj të tërë, është fakti që ka një dritare kohore të vogël që mund ta shfrytëzojmë nëse mund të arrihet një marrëveshje.
Trumpi në letër thotë ‘zgjidhje të balancuar’ dhe mendoj se është qëndrim korrekt edhe për të mos u dukur si marrje e anës. Tashmë kemi gjetur besoj një zgjidhje të balancuar, përmes proceseve të ndryshme nga Vjena e te Brukseli”, ka shtuar ai.Krasniqi më tej ka folur për kërkesën e opozitës për zgjedhje. Ka thënë se kjo s’është serioze.
“Humbësi i zgjedhjeve kërkon zgjedhje qysh nesër për të provuar rezultatin. Nuk është kërkesë serioze sepse mendoj se do ta inicionin mocionin e shumëpërfolur qe katër muaj. Edhe qëndrimet e tyre i kemi dëgjuar se kur thoshin se njëherë s’na prish punë që edhe me votat e Listës Serbe ta rrëzojmë qeverinë, e tani kur iu është bërë ofertë nga Lista Serbe, sikur ta kishin përnjëmend do ta kishim të premten seancën për votëbesimin e qeverisë në Kuvend.
Besoj se asnjëra parti s’dëshiron zgjedhje edhe për shkak të konteksteve të brendshme që i ka secila parti”, ka thënë ai, përgatiti Koha. (b.an)