Disa hakerë kanë shënjestruar me sukses komunikimet diplomatike të Bashkimit Evropian disa vjet me radhë, ka raportuar The New York Times. Në mijëra mesazhet e prekura janë përmendur një varg çështjesh e personash, duke përfshirë edhe presidentin amerikan, Donald Trump.
Ky rast është raportuar të jetë zbuluar nga kompania për siguri kibernetike Area 1. Megjithatë zyrtarët evropianë kanë thënë se informacioni i klasifikuar si konfidencial nuk është prekur nga hakimi trevjeçar. Një ekspert i ka thënë New York Times se metodat e përdorura nga hakerët kanë qenë të njëjta me ato që janë përdorur më parë nga ushtria kineze.
“Pas gati një dekade eksperiencë në luftimin e operacioneve kibernetike kineze, nuk ka asnjë dyshim se fushata është e lidhur me Qeverinë kineze”, ka thënë ai.
Sipas raporteve, pjesë e hakimit kanë qenë edhe disa institucione tjera, duke përfshirë Kombet e Bashkuara./a.meta