Ne kemi tifozerinë më të mirë në botë. Ata skuqin shkallët e stadiumeve kudo ku luan Kombëtarja dhe janë shpirti i saj”, është refreni i drejtuesve të FSHF-së sa herë që bëhet fjalë për mbështetësit e Kombëtares. Rasti i fundit ishte në Danimarkë, ku një numër i madh tifozësh kanë qenë përkrah kuqezinjve. Por çfarë ndodh momentalisht?
Përpara kemi një ndeshje shumë të rëndësishme për Kombëtaren, në të cilën mund të arrijmë atë që ëndërrojmë prej vitesh: kualifikimin. Për këtë, është hartuar një plan i gjerë masash të rrepta për të mos lejuar as incidentin më të vogël.
Deri diku, është e pranueshme që për një takim të rëndësisë së tillë të ketë masa të kësaj natyre, mirëpo e vërteta është që nuk ka dalë asnjë biletë në shitje deri tani.
Është e pranueshme që të ketë deri diku edhe një lloj përzgjedhjeje të atyre që do të jenë në stadium gjatë kësaj ndeshjeje, duke qenë se bëhet fjalë për një takim të rëndësisë së lartë dhe ku nuk na lejohet që të shfaqim asnjë incident, por a është normale që të mos lejohen grupimet e tifozërive?
Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me përfaqësues të disa prej grupimeve që e kanë mbështetur gjithmonë dhe kudo Kombëtaren sa herë që ka pasur një takim, pavarë- sisht se cili ka qenë kundërshtari. Disa prej grupimeve janë ende në pritje për të marrë bileta, të tjerë janë injoruar pa asnjë shpjegim.
“Shvercerat”
Ultrasit e skuadrës së Shkupit janë prej kohësh një nga grupimet që mbështesin Kombëtaren në çdo ndeshje të saj. “Është skandal që ne të mungojmë në një ndeshje që është si derbi. Është e mjerueshme që Federata Shqiptare e Futbollit të mos shesë bileta në treg, siç ndodh në të gjithë botën”, deklaron për “Panorama Sport” Omer Bunjaku, kreu i “Shvercerave”. Pavarësisht masave që duhen marrë, që gjithçka të shkojë pa incidente, futbolli luhet për tifozët. Qofshin ata edhe ultras…
“Skandal të mungojmë, mjerim i FSHF-së” Kanë qenë ndër të parët që e kanë cilësuar si të papranueshëm vendimin e FSHF-së për të mos dhënë bileta për grupimet e tifozërive.
“Shvercerat” nuk do të jenë në stadium në një ndeshje kaq të rëndësishme të Kombëtares, ku nevoja e futbollistëve për mbështetje do të jetë maksimale.
Numri një i këtij grupimi të tifozëve, Omer Bunjaku, ka treguar për “Panorama Sport” qëndrimin e tyre në lidhje me vendimin e FSHF-së. “Ne e kemi ndjekur Kombëtaren në çdo ndeshje të saj. Kemi qenë në çdo stadium, pa menduar se cili është kundërshtari”, tregon fillimisht kreu i grupimit të tifozëve.
A keni kërkuar një përgjigje zyrtare nga FSHF-ja për biletat?
Po! Dhe kemi marrë një përgjigje të papranueshme. Na kanë thënë vetëm: “Nuk është e mundur të merrni bileta”. Një përgjigje e thatë dhe pa shpjegim, sikur ne të ishim serbë apo nuk e di se çfarë dhe jo një grupim i organizuar tifozërie.
Si e gjykoni këtë vendim të FSHF-së për të mos ju dhënë bileta?
Skandal! E përsëris, kemi qenë kudo për të ndjekur Kombëtaren dhe kemi sakrifikuar shumë për të qenë mbështetës të kuqezinjve në shkallët e çdo stadiumi. Kur vjen puna te një ndeshje e tillë, që është si një derbi, ne injorohemi në këtë mënyrë.
Deri tani, nuk ka dalë asnjë biletë në shitje për këtë ndeshje…
Është e mjerueshme që ndodh diçka e tillë. FSHF-ja po bën atë që nuk ndodh në asnjë federatë të botës dhe për asnjë ndeshje futbolli. Askund nuk ndodh kjo që po ndodh në Shqipëri, edhe pse gjithkund nevojitet siguri në stadiume dhe merren masa për të pasur rend dhe qetësi në një ndeshje futbolli.
“BALLISTËT”
“Ilirida s’mund të lihet jashtë”
Ata janë ende në pritje të konfirmimit nëse do të jenë apo jo në “Elbasan Arena” për ndeshjen Shqipëri-Serbi, por ndërkohë që nuk kanë marrë përgjigje nga FSHF-ja, kanë një mesazh të qartë: “Ilirida nuk mund të mbetet jashtë Kombëtares!”.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, një prej përfaqësuesve të grupimit të tifozëve “Ballistët”, Qani Avdiu, tregon situatën e këtij grupimi tifozësh në lidhje me mbështetjen e Kombëtares në takimin e radhës ndaj Serbisë.
“Shpresojmë shumë të jemi të pranishëm në stadium në ndeshjen me Serbinë. Kemi bërë kërkesë në FSHF dhe ende presim përgjigje”, tregon fillimisht përfaqësuesi i “Ballistëve”.
Deri tani nuk ka dalë në shitje asnjë biletë…
Kjo nuk është diçka e mirë, pasi në fund të fundit futbolli luhet për tifozët.
Sipas jush, a është normale që të mos ketë bileta për tifozët?
Aspak! Si mund të mungojë “lojtari i 12-të”. Si mund të mos ketë mbështetje nga grupime tifozësh që janë aty për të brohoritur dhe përkrahur lojtarët, pavarësisht sa është rezultati apo se çfarë ndodh në fushë. Më thoni ju, si mund t’u kërkosh maksimumin atyre lojtarëve, kur u mungon shpirti në shkallët e stadiumit?…
Për këtë ndeshje, ka masa akoma edhe më të rrepta…
I kemi pranuar gjithmonë dhe i kemi respektuar. Në ndeshjen me Portugalinë ka pasur probleme, pasi nuk na u lejua megafoni dhe tupanët. Gjë që s’na kishte ndodhur më parë. Ne premtojmë që do të jemi në stadium për të mbështetur siç dimë ne dhe pa shkaktuar as incidentin më të vogël. Po nëse nuk do të ketë bileta për ju? Më thoni ju, si mund të mos ketë bileta për tifozët e Iliridës? Nuk mund të lihen jashtë tifozët e një toke shqiptare në një ndeshje si kjo.
“PLISAT”
“Jemi në pritje, na japin vetëm 200 bileta” Është një tjetër grupim i zjarrtë tifozërie që ende nuk e ka marrë “dritën jeshile” për të skuqur “Elbasan Arena”-n në ndeshjen e 8 tetorit. “Plisat” nuk kanë marrë akoma bileta për të qenë në stadium, por u është premtuar se do të ketë një numër të kufizuar edhe për to.
“Presim të marrim vetëm 200 bileta, pavarësisht se kemi mbi 2000 kërkesa. Kemi të paktën 2000 kërkesa, nga anëtarë dhe tifozë që duan të jenë në stadium për këtë ndeshje. Megjithatë, është e pamundur që të realizohet çdo kërkesë. Po diskutojmë për të marrë një numër përfaqësues për këtë takim. Bëhet fjalë për rreth 200 bileta që pritet të marrim. Kemi rënë dakord me FSHFnë dhe kemi garantuar se jemi aty për t’i mbështetur lojtarët e Kombëtares pa shkaktuar asnjë incident”, ka deklaruar për “Panorama Sport” kreu i grupimit të “Plisave”.
Pak ditë më parë, kishte një reagim nga vetë grupimi i tifozëve “Plisat”, të cilët reaguan publikisht për sjelljen e FSHF-së që nuk garantonte bileta për grupimet e tifozërive. Kreu i “Plisave” ka bërë me dije se po negociohet ende për të siguruar bileta për ndeshjen Shqipëri-Serbi.
“Në fillim ishte e prerë që asnjë grupim nuk do të ketë bileta dhe diçka e tillë ishte e papranueshme. Për këtë edhe ishte reagimi publik i para disa ditëve”, shprehet fillimisht Kastrati. I pyetur nëse është normale për grupimin që drejton të mungojë në një ndeshje si kjo, kryetari i “Plisave” u shpreh.
“Nuk është normale, por mund të them që ne po negociojmë me FSHF-në për të marrë një numër biletash”, tregon kryetifozi. Në lidhje me mungesën e biletave në treg, ai thotë: “Normale nuk është që të mos ketë bileta në shitje, megjithatë rëndësia që ka kjo ndeshje bën që federata t’i përzgjedhë ata që do të jenë në stadium”, përfundon drejtuesi i “Plisave”. /Zëri/