Nga data 17 dhjetor nis shpërndarja e shpërblimit për pensionistët. Më shumë se 650 mijë pensionistë do të nisin ditën e hënë të marrin 5 mijë lek, shpërblim të vendosur nga qeveria. Kush nuk e ka marrë ende pensionin do ta marrë shpërblimin bashkë me pensionin. Ndërkohë që ata të cilët e kanë marrë pensionin, do ta tërheqin shpërblimin duke filluar nga dita e hënë. Shpërblimi do të merret në postë. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado, i kontaktuar nga gazeta, thotë se nga dita e hënë pensionistët duhet të paraqiten në postë për të tërhequr shpërblimin.
“Nga data 17 dhjetor do të nis procesi i shpërndarjes së shpërblimeve dhe të gjithë ata që kanë datën në këtë grafik, pavarësisht nga llojet e pensioneve, do ta marrin shpërblimin bashkë me pensionin. Dhe të gjithë ata, po themi ata që e kanë marrë pensionin ditën e hënë, 3 dhjetor do të lihet që të hënën pasdite të marrin shpërblimet, në varësi të grafikut të cilin do ta publikojmë. Duke filluar nga ora 8 e mëngjesit deri rreth mesditës, punonjësit e Postës do t’u shpërndajnë pensionin atyre që kanë ditën dhe pasdite do të shpërndajnë shpërblimin vetëm për ata persona që u ka kaluar data e marrjes së pensionit. Sigurisht, që do të punojmë me orar të zgjatur. Numri total i përfituesve është 650 mijë e 600 përfitues”, – u shpreh Astrit Hado.
Shpërblimi
Shpërblimin do të marrin të gjithë pensionistët. Edhe në rastet kur është një kryemfiljar pensionist, si dhe bashkëshortja e tij pensioniste, përsëri secili prej tyre do të përfitojë 5 mijë lek shpërblim. Në aktin normativ që ndryshoi buxhetin e vitit 2018 pak muaj më parë, qeveria ka akorduar një fond të posaçëm 3 miliardë lekë ose rreth 28 milionë dollarë që do të përdoret si shpërblim për pensionistët, çka nuk ishte parashikuar në buxhetin e miratuar në fillim të vitit.
Po kështu shpërblim pritet të ketë edhe për kategoritë e tjera në nevojë. Vitin e kaluar, shpërblimi me rastin e festive të fundvitit ishte në masën 3 mijë lekë të reja, ndërsa një shpërblim prej 2 mijë lekësh iu dha edhe kategorive të veçanta si përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike.
Përfituesit
-499.000 persona që marrin pension pleqërie, invaliditeti familjar dhe pension qyteti
-133.000 persona që marrin pension si anëtarë të kooperative bujqësore
-981 persona me trajtim të veçantë financiar, dhe persona që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake.
-11.876 persona që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi./shqiptarja
a.çupaj