Kryeministri australian, Scott Morrison konfirmoi vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jeruzalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit. Gjithsesi, ai njoftoi gjithashtu se Ambasada e Australisë nuk do të zhvendoset nga Tel Avivi, siç bënë Shtetet e Bashkuara, derisa një marrëveshje paqeje të jetë arritur.
Ai shtoi se Australia njeh gjithashtu edhe aspiratat e palestinezëve për të krijuar një shtet me kryeqendër Jeruzalemin Lindor. Statusi i Jeruzalemit është një nga çështjet më të debatuara mes Izraelit dhe palestinezëve.
Mbi presidentin Donald Trump ranë kritika nga e gjithë bota vitin e kaluar, kur ai përmbysi një politikë të jashtme amerikane prej dekadash të pandryshueshme, duke njohur qytetin antik si kryeqytet të Izraelit. Pas atij vendimi, Ambasada e SHBA-ve u zhvendos nga Tel Avivi në Jeruzalem, në një ceremoni të zhvilluar në muajin maj.
Njoftimi i Morrisonit ndërkohë vjen pas një periudhe konsultimesh me politikanë në Australi, por edhe me aleatët jashtë vendit.
“Australia njeh tashmë Jeruzalemin Perëndimor, pjesë e qytetit ku janë ngritur Parlamenti izraelit dhe shumë institucione qeveritare, si kryeqytetin e Izraelit”, tha Morrison gjatë kësaj të shtune nga Sidnei. “Do të shfrytëzojmë çdo hapësirë për të transferuar Ambasadën tonë në Jeruzalemin Perëndimor sapo kjo gjë të jetë e mundur në praktikë, e sigurisht edhe pas caktimit përfundimtar të statusit të qytetit antik”.
Morrison tha se, ndërkohë, Australia do të ngrejë një zyrë për mbrojtjen dhe tregtinë në Jeruzalemin Perëndimor. Ai këmbënguli se Australia mbështet “demokracinë liberale” në Lindjen e Mesme. Megjithatë, kur rishikimi i kësaj politike u njoftua në tetor, kjo shkaktoi mbështetje nga Izraeli dhe kritika nga palestinezët. E gjitha, sepse paraardhësi i Morrisonit, Malcolm Turnbull kishte përjashtuar mundësinë që të ndiqte shembullin e Amerikës për të transferuar Ambasadën e Australisë në Jeruzalem. Top Channel