“Trafikimi i personave është një formë e neveritshme e skllavërisë moderne dhe, me gjithë progresin e madh, kundërpërgjigjja duhet të forcohet dhe të përshtatet për të pasqyruar dhe trajtuar realitetet dhe sfidat e reja”, zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, tha sot në një konferencë për trafikimin e personave, të organizuar nga Ministria e Brendshme.
Ndër sfidat, ai përmendi identifikimin e personave të trafikuar, si dhe numrin e ulët të hetimeve dhe dënimeve gjatë dy viteve të fundit. Wilton theksoi se 50 për qind e viktimave të trafikimit në Shqipëri janë fëmijë dhe prandaj Prezenca e OSBE-së ka bërë përpjekje për ta kthyer luftën kundër trafikimit të fëmijëve në përparësi.
Më tej, ai tha se është tejet e rëndësishme të adresohen shkaqet në rrënjët e këtij fenomeni, si diskriminimi shoqëror dhe mungesa e një përgjigjeje të bashkërenduar, në sektorët ku fëmijët shfrytëzohen, veçanërisht te lypja; të promovohet zhvillimi social dhe ekonomik i familjeve dhe të investohet për të mbrojtur dhe ndihmuar grupet e cenueshme.
OSBE-ja mbetet e përkushtuar të bashkëpunojë për të kontribuuar në zhvillimin e instrumenteve efikase në nivel kombëtar për të vënë para drejtësisë dhe për të parandaluar krimin e trafikimit të personave, si dhe për të mbrojtur të drejtat e personave të trafikuar./a.meta