Hetimet për skandalin e falsifikimeve në tenderin e “Unazës së re” dhe atë të linjës Burrel-Peshkopi nuk përfshijne vetëm kompaninë mashtruese “DH Albania”, por edhe institucionet shtetërore. Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë nisur verifikimet në rang hetimor, edhe për Autoritetin Rrugor Shqiptar, si dhe Operatorin e Transmetimit.
Paralelisht, Prokuroria e Tiranës ka nisur këtë të premte letërporosinë për autoritetet amerikane të Delaware-t, për të verifikuar në rrugë zyrtare dokumentacionin e paraqitur nga kompania “DH Albania”, si dhe për informacione të tjera shtesë. Përtej hetimeve, skandali i kompanisë “Dunwell Haberman” mund të ketë patur edhe pasoja financiare.
Një burim konfidencial, por jo zyrtar brenda sektorit energjetik, i tha Top Channel se në rastin e linjës Burrel-Peshkopi, OST-ja i ka parapaguar edhe 20 për qind të vlerës së kontratës për nisjen e punimeve kompanisë “DH Albania”, pra rreth 2.2 milionë euro. Sipas tij, menjëherë pas plasjes së skandalit, këto parà janë kthyer menjëherë mbrapsh. Por, OST-ja e mohoi zyrtarisht që të ketë parapaguar 20 për qind të vlerës së kontratës në tenderin e linjës Burrel-Peshkopi.
Sipas OST-së, fatura e përpiluar nga kompania prej 2.2 milionë eurosh nuk është paguar, por është anuluar nga OST-ja, menjëherë pas publikimit të fakteve se “Dunwell Haberman” kishte falsifikuar dokumentacionin.
Top Channel nuk mundi ta verifikonte në mënyrë të pavarur, nëse OST-ja i ka paguar parà kompanisë “DH Albania”, por të gjitha këto elementë tashmë pritet të hetohen me hollësi nga Prokuroria.TCH/a.meta