Prezantohet studimi “Martesa e fëmijëve – njohuritë, qëndrimet dhe perceptimet ndër komunitetet e prekura në Shqipëri”. 11% e grave të moshës 20-49 vjeç, janë martuar para moshës 18 vjeç.
Tiranë, 14 Dhjetor – Në mbyllje të fushatës globale të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me UNICEF, UNFPA, Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve dhe me mbështetjen e Qeverisë së Suedisë, prezantuan studimin “Martesa e fëmijëve – njohuritë, qëndrimet dhe perceptimet ndër komunitetet e prekura në Shqipëri”.
“Martesat e hershme janë shkelje e të drejtave të njeriut, por edhe një nga format e dhunës me bazë gjinore, ndaj është shumë i rëndësishëm parandalimi i këtij fenomeni që ndikon negativisht në arsimimin, shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Duke theksuar rëndësinë e këtij studimi për të ndërmarrë politika të targetuara dhe veprime konkrete për të parandaluar martesat e hershme, Manastirliu e vuri theksin tek arsimimi i brezit të ri.
“Arma më e fortë që kemi në dorë është edukimi. Me nxitjen e arsimimit për çdo vajzë, për çdo fëmijë, do të mund të flasim nesër për më pak vajza-gra, për më pak martesa të hershme, për më pak dhunë me bazë gjinore dhe më shumë vajza që zgjedhin vetë fatin e tyre”, tha Ministrja Manastirliu.
Studimi mbi martesat e hershme është një studim cilësor, bazuar mbi dëshmitë e grave dhe vajzave, të forcuara për tu lidhur në martesa të hershme. Paralelisht me këtë studim cilësor, nga Studimi Demografik dhe Shëndetësor, i prezantuar pak ditë më parë po nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (anketa 2017-2018) rezulton se 11% e grave të moshës 20-49 vjeç, janë martuar para moshës 18 vjeç.
Martesat e hershme janë të përhapura kryesisht në grupet vulnerabël, në komunitetin rom dhe egjiptian, por edhe në zonat rurale ku ende fenomeni është prezent.
Në prezantimin e studimit mbi martesat e hershme, merrnin pjesë deputetë, përfaqëues të lartë të organizatave ndërkombëtare, ambasadori i Suedisë në Shqipëri si dhe përfaqësues të shoqërisë civile./a.çupaj