Numri dy i NATO-s , zëvendësekretarja e Përgjithshme, Rose Gottemoeller ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.
Gjatë një konference të përbashkët për mediat me ministrin Ditmir Bushati, zëvendësekretarja e NATO-s
Vlerësoi rolin e Shqipërisë në aleancë dhe kërkoi thellim të bashkëpunimit.
“Shqipëria brenda NATO-s na bën të gjithëve më të sigurtë. Kam parë më sytë e mijë ushtarët shqiptarë, janë një ekip mbresëlënës. Pres me padurim të punojmë së bashku”, tha Gottemoeller
Duke u ndalur në situatën në rajon, Gottemoeller tha se NATO ka përforcuar angazhimin praktik të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor.
“NATO mbështet dialogun e suportuar nga BE mes Prishtinës dhe Beogradit, si e vetmja mënyrë për paqe dhe stabilitet në rajon. Mbështetemi te Shqipëria që të vazhdojë të përdorë influencën e saj në këtë process dhe Beogradi dhe Prishtina të tregojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje”, tha znj. Gottemoeller.
Ministri Bushati deklaroi se anëtarësimi në NATO është një ndër arritjet më të mëdha të Shqipërisë, ndërsa vlerësoi rolin e Aleancës në Kosovë.
“Për Shqipërinë dhe shqiptarët, anëtarësimi në NATO, një ndër arritjet më të mëdha pas shembjes së komunizmit. Ne e mirëpresim bashkëpunimin me NATO edhe për çështje sensitive. Kemi diskutuar për të gjitha sfidat me të cilat përballet rajoni. Vlerësojmë rolin e NATO-s në Kosovë, pasi është spirancë stabiliteti. Kemi shprehur dëshirën për bashkëpunim edhe më të thellë”, deklaroi Bushati
Duke u ndalur te sfidat me të cilat përballet rajoni, Bushati tha se “ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar në mënyrë që rrezja e stabilitetit demokratik të NATO-s në rajonin tonë dhe më gjerë të jetë e pacënueshme”.
Javanews/a.çupaj