Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka uruar sot besimtarët mysliman për ditën e Kurban Bajramit. Ai fillimisht ka vizituar selinë e Komunitetit Mysliman, ku i ka uruar këtë festë kreut të besimtarëve mysliman në vendin tonë Skender Bruçaj. Më pas urimin e tij Veliaj e ka përcjellë edhe për të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e Tiranës në Veçanti, duke theksuar se kjo është një ditë ku njerëzit më së pari duhet të reflektojnë solidaritet dhe dashuri mes tyre. “Në kohë të ngarkuara, në kohë të stresuara, ku secili po mundohet t’ ja dalë, ndonjëherë harrojmë disa nga parimet më bazë, parimet e solidaritetit dhe të dashurisë ndaj njëri tjetrit. Besoj që Bajrami insiston në këtë ndjenjë njerëzilliku”, – tha Veliaj.
Ai bëri të ditur se për të përmbushur këtë qëllim, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile ka shpërndarë ndihma për disa familje në nevojë të qytetit të Tiranës, që edhe ata të gëzojnë këtë ditë feste. “Kjo është arsyeja se pse Bashkia e Tiranës, për familjet në nevojë, familjet me ndihmë ekonomike, sot ka shpërndarë paketa ushqimore , në bashkëpunim me disa organizata të shoqërisë civile, për t’ u siguruar që vakti i ditës së sotme mos të lërë asnjë familje bosh”, – u shpreh Veliaj.
Ai ka gjetur gjithashtu rastin që ti bëj një thirrje qytetarëve të Tiranës që në këtë ditë simbolike të ndarjes së të mirë me të tjerët të ndihmojnë ata që janë më në nevojë. “Kjo nuk nënkupton që zgjidhim çdo problem, ndaj dua që t’i bëj apel të gjithë qytetarëve të Tiranës, atyre që Zoti u ka dhënë mundësi që të kenë më shumë seç kanë nevojë, që ta ndajnë pjesën e mbetur me nevojtarë, me të afërm të tyre, me komshinjtë, me ata që ndoshta sot, kanë më shumë nevojë për ndihmë, që të sigurohemi që në një ditë si kjo të jemi të gjithë të barabartë”, – u tha Veliaj ndërsa ka falënderuar përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman për bashkëpunimin si për zbukurimin e Tiranës në këtë ditë të shënuar për besimin mysliman ashtu edhe për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë.