Puna për hapjen e kantierit ku do të zbatohet projekti për zgjerimin e Unazës së Madhe në segmentin nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana ka vijuar edhe paraditen e sotme. Bashkia e Tiranës prishi disa ndërtesa të tjera pa leje në gjurmën e Unazës së Madhe në zonën e Astirit, duke i hapur rrugë ndërtimit të rrugës.
Si në rastet e tjera, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë Tiranë gjeti bashkëpunimin e plotë të ndërtuesve të këtyre objekteve pa leje, të cilët kanë bërë në mënyrë vullnetare zhvendosjen e materialeve dhe orendive për të mundësuar më pas prishjen e ndërtimeve.
Objektet e prishura shërbenin kryesisht për qëllime biznesi. Njëra prej tyre, siç shihet edhe nga pamjet, ishte dy katëshe dhe me një sipërfaqe rreth 700 metra katror. Ndërkohë që paralelisht me këtë proces, të tjerë banorë kanë vijuar me largimin vullnetar të orendive dhe pajisjeve elektroshtëpiake, duke i mundësuar IMT-së që të vazhdojë punën për prishjen e objekteve pa leje. Gjithashtu, mjetet e rënda të Bashkisë Tiranë kanë vijuar edhe me procesin e largimit të mbetjeve inerte që dalin nga procesi i prishjeve./a.meta