Pedagogu Albert Nikolla ka qenë i ftuar këtë të martë në studion e Report Tv, ku ka folur mbi protestën e studentëve që po zhvillohet tanimë për të tetën ditë radhazi. Nikolla u ndal fillimisht tek mungesa e koordinimit të studentëve për të krijuar një përfaqësi, duke e cilësuar më tej protestën si të marrë peng nga disa drejtues. Ai e shprehu si kusht të domosdoshëm krijimin e një përfaqësie, në mënyrë që të zhvillohet diskutimi i tetë kërkesave të parashtruara midis kryeministrit Edi Rama, ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe studentëve.
“Doja të ndalesha tek qasja mes kryeministrit dhe lëvizjes studentore. Mendoj se protesta është marrë peng nga disa drejtues sepse është e pamundur të mos krijohet një përfaqësi. Duhet me patjetër një përfaqësi për të diskutuar mbi kërkesat e tyre me ministren dhe kryeministrin. Studentët thirren në kauzë që çështja të zgjidhet. Mendoj se nuk është e vështirë të zgjidhet një përfaqësi. Ka persona që po përpiqen ta bllokojnë këtë përfaqësi. Dikush po i pengon që kjo përfaqësi të krijohet. Studentët thonë që jemi vetëm për kërkesat por në një vend demokratik nuk duhet të ndodhë kjo. Studentët nuk duhet të ndikohen nga ideologë. Duhet të bëhet dallim mes individit dhe institucionit. Unë do të preferoja që studentët të mbeten si një grupim i vetëm që dinë ta menaxhojnë protestën pa ndikimin e grupeve që tentojnë të tejçojnë idealet e tyre përmes studentëve. Studentët le të flasin. Duhet të shkojnë nëpër media që të flasin. Fjala duhet të jetë e para dhe e fundit”, Albert Nikolla, Pedagog në Universitetin “Aleksandër Mojsiu”, Durrës
Nikolla theksoi edhe problemin e masivizimit nëpër universitete, duke e cilësuar si shkak të cilësisë së dobët të arsimit. Ndërsa mbi uljen e tarifave, ai tha se kjo duhet të shikohet sidomos tek familjet në vështirësi ekonomike.
“Besoj se të gjitha kërkesat që ata kanë janë të ligjshme. Të marra një nga një ato duhet të analizohen secila. Cilësia është dramatike. Unë jam dhe për një pikë tjetër të 9, mbi masivizimin. Nuk është normale as dinjitoze për kërkimin shkencor. Ajo çka është thelbësore për një pedagog në Itali është aftësia për të bërë një kërkim shkencor. Ndërsa në vendin tonë, pedagogët janë në nivelin e një mesuësi gjimnazi. Çështja e tarifave duhet të shikohet rast pas rasti sidomos tek familjet në gjendje të rëndë ekonomike. Janë një numër i madh faktorësh që kanë sjellë situatën e sotme”, theksoi Nikolla.
Pedagogu Nikolla uroi në fund që studentët të krijojnë një përfaqësi të tyren duke sugjeruar dakordësi mes studentëve të universiteteve./a.meta