Nga Mero Baze
Protesta ka prodhuar një energji të re për shqiptarët. Një nga gazetarët e njohur televiziv, Blendi Fevziu, është fotografuar i pari mes tyre. Më pas ka marrë dhe megafonin në studio.
Për hir të tyre ndryshoi panelin televiziv dhe hoqi dorë nga të ftuarit e përhershëm, duke freskuar studion me zëra të rinj, artikulime të reja, dhe një energji rinore.
Po për hir të tyre ka dhënë intervista personale në media dhe ka shprehur kundërshtinë e tij me protestën e Astirit dhe dakordësinë me protestën e studentëve.
Dhe e gjithë kjo është shumë.
Sot duket se është më aktiv se vetë studentët. Dhe ka një arsye të fortë. Kryeministri, i cili për traditë duhet të ishte tek studioja e tij, paska shkuar në një studio tjetër, në Top Channel. Kjo duket se ka tejkaluar pritshmëritë tona për një qëndrim anti-qeveritar të Fevziut. Njësoj siç ndodhi me rastin e hiperbolizuar të Saimir Tahirit, kur ai negocionte me prokurorët të mos e ndalonin, derisa ta merrte ai në intervistë, edhe pse nuk kishte ndërmend ta ndalonte njeri, edhe sonte ai po negocion me Bashën të mbajë disa studentë të Forumit Rinor të PD në boulevard, derisa të fillojë emisioni i tij.
Mes mijëra arsyeve që kanë studentët për të protestuar dhe qindra problemeve që kanë shqiptarët për të zgjidhur, sot në mbasdite, në fakt i vetmi problem kombëtar që po përjetojmë, është pse Edi Rama nuk ka shkuar tek Fevziu, por tek Dudushi, dhe për këtë duhet ta përjetojmë hallin e tij si dramë kombëtare.
Oferta e pakërkuar e Fevziut për studentët është që do të jetë në dispozicion të tyre deri në mesnatë, që Edi Rama ta paguajë shtrenjtë, jo tradhtinë ndaj elektoratit të vet, apo popullit, por ndaj studios së Fevziut.
Një tjetër sherr është shfaqur në horizont dhe mes dy kolegëve të vjetër në shtyp, Rudinës dhe Babaramos. Ky i fundit, që bën sherr gjithnjë para festave të Vitit të Ri, sidomos me biznesmenë, kësaj radhe i është turrur Rudinës, duke e akuzuar se ajo është me qeverinë, ndaj e ka sulmuar. Dhe Rudina për t’ia dhjerë Babaramos, ka marrë dhe ajo megafonin e ka shkuar tek studentët.
Kjo është gjithashtu një gjë e mirë, por që nuk ka lidhje me hallet e studentëve, por hallin për emisionin.
Eni Vasili nuk mund të mbetej pas. Rama ka preferuar Dudushin para saj, dhe ajo ka paralajmëruar në “Open” se studentët do nisen drejt Kryeministrisë, dhe ata e kanë dëgjuar atë. Hajt mos beso që është parashikuese fati.
Tek studentët janë turrur dhe të gjitha partitë. Basha ka ngritur prita tek “Zogu i Zi” dhe në Bulevard, duke shpresuar që të afirmojë studentët e vet, në përpjekje për të sulmuar qeverinë. Është shumë i mërzitur me studentët që thonë “larg PD nga protesta”, dhe ka vendosur të dërgojë gjithë ekipin e “Çadrës” të organizojë protestën. Biles Strazimiri i ka kërcënuar se do t’i burgosë ata që nuk e pranojnë në protestë me revole në brez, ndërsa Grida udhëzon Falmurin dhe grupin e forcës të mbajnë studentët larg Top Channel-it në mbrëmje.
Të futur ilegalisht mes studentëve, ata i përngjajnë Partisë Komuniste, që deri më 1948, edhe pse kishte marrë pushtetin, rrinte në ilegalitet, pasi kishte frikë se njerëzit do trembeshin prej saj.
LSI po ashtu. Duke qenë dominante në Këshillat studentore që nuk kanë bërë zgjedhje prej vitit 2014, ata janë dhe më aktivët mes protetës.
Ajo u bën mirë të afishohen si liderë të së ardhmes.
Beteja vazhdon më tej me Lëvizjen “Për Universitetin”, që në fakt është bërthama reale e kësaj proteste, të cilën po duan ta nxjerrin jashtë loje.
Dhe për ta bërë më të plotë paranojën, ka akuza se edhe “Vetëvendosja” në Kosovë ka dërguar njerëzit e saj në protestë. Në fakt, ngjashmëria e parrullave të “Vetëvendosjes” me ato të Arlind Qorrit burojnë nga frymëzimi i njëjtë marksist, por jo nga bashkëpunimi konkret, edhe pse ka vullnetarë të përbashkët.
Pastaj fillojnë teoritë e konspiracionit, dhe aty nuk kam fuqi as t’i shpjegoj. CIA, KGB, shërbimi gjerman, anglez, Erion Veliaj, por sidomos Sorosi, e çdo marrëzi që mund t’i shkojë dikujt në mendje, është aty.
Relativizmi i liderëve real të protestës, sulmet ndaj organizatorëve fillestarë të saj dhe arroganca e forumeve partiake në protestë, nevoja për protagonizëm e faktorëve mediatikë dhe shoqërisë së vdekur civile, e kanë zhbërë atë tashmë si protestë studentore dhe e kanë kthyer në një lavazh për këdo mëkatar në këtë qytet, për t’u dukur i mirë si studentët, dhe po këmbëngulin që kjo protestë të ketë vetëm një kërkesë, që qeveria të mos zgjidhë kërkesat e tyre.
Si e tillë, ajo është bërë tashmë më politike se sa mund të bëhej sikur të kishte vetë një platformë politike.
Kështu që në ditët në vazhdim, do të jetë i vështirë sqarimi i ofertës për studentët nga qeveria, pasi në garë janë ofertat e pakërkuara të tipit Fevziu, që u duhet protesta për hallin e tyre.
Askush nuk dëshiron të dëgjojë studentët, por ata që këshillojnë studentët. Bile zemërimin më të madh protesta po e arrin tani, kur po tentohet nga qeveria që t’u plotësohen kërkesat.
Këtu nuk duron dot më askush të mbyllet kaq shpejt kjo parajsë, që ua plotëson të gjithëve deliret që kanë për vete si udhëheqës të dështuar, që kërkojnë popull, si gazetarë që duan audiencë, si veprimtarë që duan vëmendje.
Përveç studentëve që kanë hall vërtet, dhe nuk duan tarifa.