Jemi aq shumë të përqendruar tek rezultatet dhe aq pak të përqendruar tek karakteri ynë. Ky është problemi më i madh i sistemit arsimor të ditëve të sotme. Kjo gjë kështë ka qenë dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Askush nuk përqendrohet tek forcimi i vullnetit, i qëndresës, i karakterit, i pasurimit të kulturës, gjëra të cilat na vlejnë padyshim në jetën tonë. Kur dikush që duam ndërron jetë, ne nuk na ndihmon as matematika, as anglishtja dhe as lëndët e tjera që bëjmë në shkollë.
Kur je duke kaluar në një periudhë të vështirë në jetë, nuk do të jetë historia ajo që do të të shpëtojë. Kur do të përpiqesh të ngresh një biznes, nuk ka për të të ndihmuar aspak ekonomia që ke mësuar në shkollë, aq sa do të të ndihmojë vetë praktika. Ndaj, unë mendoj se mënyra se si ne po e përdorim edukimin dhe sistemin arsimor, është komplet e gabuar.
Është vërtet e vështirë të marrësh rezultate të larta, pasi duhet të mësosh shumë, por duke u përqendruar tek rezultatet e larta, ne harrojmë të mësojmë gjërat që vërtet do na duhen në jetë. Nëse sot mund të kënaqemi me rezultatet e larta, apo të krenohemi me to, nesër mund të rrëzohemi në mënyrë të rëndë nga sfidat që jeta na vendos përpara.
Edhe vetë sistemi arsimor është paksa i gabuar. Sistemi i sotëm arsimor i trajton të gjithë njësoj, duke mos e menduar se jo të gjithë kanë të njëjtat aftësi dhe se jo të gjithë kanë të njëjtin botëkuptim. Është pjesërisht detyra e këtij sistemi që t’i mësojë të rinjtë të jenë të gatshëm të përballen me sfidat e jetës, përtej të mësuarit të lëndëve të ndryshme.
Po të njëjtën detyrë e kemi edhe vetë ne. Mjaft u përqendruam aq shumë tek rezultatet, sesa tek të kuptuarit e gjërave. Duhet të thellohemi paksa. Të nxjerrim përfundime të logjikshme. Vërtet mund të mësojmë mbi zbulimet e Nikola Teslës apo Ajnshtajnit në fizikë, por nuk na bën keq që gjatë kohës së lirë të lexojmë paksa për jetën e tyre. Me siguri do të nxjerrim mësime të vlefshme që ndoshta në ndonjë moment të jetës sonë edhe mund të na ndihmojnë.
Nuk duhet thjesht të mësojmë për të marrë një notë të mirë, për të kënaqur veten dhe prindërit tanë. Duhet të mësojmë duke menduar në mënyrë afatgjatë dhe për ecurinë e jetës sonë, jo vetëm duke menduar për të tashmen dhe duke e lënë të ardhmen në harresë…/a.meta