Nga Ardit Rada
“E kam vështirë të shikoj një të ardhme brënda një partie që nuk po kuptohet nga populli. Një parti nuk shkon dot kurrë në fitore, as me foto me figura të larta politike, dhe as me thirrje nacionaliste”.
Këto janë fjalët e shkëputura nga një deklaratë e gjatë e Rudina Hajdarit ku paralajmëron dorëzimin e mandatit të deputetes. Më tepër sesa e zhgënjyer, vajza e ish-themeluesit të Partisë Demokratike shpreh një lloj “mea culpa” për atë çfarë priste brenda opozitës dhe nuk arriti ta realizonte.
Pa krijuar asnjë përplasje brenda PD-së dhe me një dorëheqje të papritur, Rudina duket se kërkon të bëjë një sqarim. Siç shprehet ajo, në fjalimet e saj nuk është dirigjuar kurrë nga Sali Berisha dhe aq më pak nga Lulzim Basha. Ç’ka tregon se nën gjurmët e Azemit, ajo nuk e pranon ‘tutelën’ brenda partisë dhe qorrsokaqet ku e fut lidershipi herë pas here.
Mbase Rudina nuk është oratore e famshme si i ati, por është e qartë në deklaratën që duket se është shkruar pas një vendimi të pakthyeshëm.
Deklarata e Rudinës është më tepër sesa një pasqyrë e një partie të shpërndarë në kauza rastësore, bojkotuese e Kuvendit dhe me një grup parlamentar të sajuar minutat e fundit të qershorit 2017.
Largimi tragjik nga jeta i të atit 20 vite më parë, nuk e ndihmoi PD-në të merrte pushtetin në tavolinë. Por fatkeqësisht as nuk i dha një leksion demokratëve për rinovim të saj.
Partia Demokratike tashmë ka përballë një alarm për të reflektuar për problemet e brendshme dhe strategjinë politike që po zhgënjen edhe vajzën e “Heroit të Demokracisë”.
Dhe reflektimi duhet nisur nga koka, sepse peshku nuk qelbet nga bishti.
/javanews.al