Nga ambasadori Bernd Borchardt
Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Le të flasim për të Drejtat e Njeriut!
Shqipëria ka një histori të lemerishme të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dialogu kombëtar për këtë të shkuar ka filluar vetëm para disa vitesh. OSBE-ja e ka mbështetur këtë diskutim që nga viti 2015, sepse ne besojmë që ka nevojë për dialog. Vetëm ai krijon bazën për një kujtesë kolektive të puqur e të shëndoshë. Pas përvojës dërrmuese të diktaturës komuniste, Shqipëria ka nevojë për një kuptim dhe kujtesë të përbashkët e racionale për atë që ndodhi dhe për t’i dhënë fund amnezisë së gjerë të qëllimshme. E dimë se kjo amnezi po lë gjurmë të thella në nënvetëdije dhe u jep më shumë fuqi të fuqishmëve. Kundërhelmi janë dija dhe dialogu, të cilat emancipojnë dhe çlirojnë, që krijojnë bazën për një narrativë të re çliruese në shoqëri.
Le të flasim për sot
Shqipëria sot është vend demokratik, ka pasur disa ndryshime paqësore të qeverive, shumë punë po bëhet për shtyllën e tretë të ndarjes demokratike të pushtetit, Reformën në Drejtësi. A mjafton? Nuk ka më kërcënime ndaj të Drejtave të Njeriut, të gjitha të drejtat janë të garantuara?
Le të flasim rreth korrupsionit
Shkon në spital me një problem shëndetësor të rëndë, shtyhesh të paguash. Duhet të lindësh dhe lindja është e ndërlikuar, shtyhesh të paguash. Shkon në rajonin e policisë si viktimë e dukshme krimi, shpërfillesh ose të largojnë. Nuk ndodhin në Shqipëri? Këto të gjitha janë përvoja realiste, korrupsioni mbetet problem dramatik në Shqipëri. Dita Kundër Korrupsionit ishte dje; Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut është sot. Ato janë të lidhura dhe jo vetëm për shkak të datave të afërta. Korrupsioni prek më shumë të Drejtat e Njeriut e njerëzve më të cenueshëm dhe më të margjinalizuar. Mbështetja për luftën kundër korrupsionit do të mbetet fokusi i punës sonë këtu.
Le të flasim me një viktimë trafikimi
Të joshin me premtime boshe për një punë ose dashuri e siguri për të shkuar jashtë dhe e gjen veten në bordello ose në një punë të detyruar. Shihni gazetat britanike ose italiane. Kjo cenon të drejtat e njeriut po aq sa edhe një diktator. Jemi dakord me Shqipërinë se parandalimi, mbështetja dhe hetimi nuk janë aq të forta sa duhet në këtë fushë dhe mbështesim qeverinë për të luftuar trafikimin dhe për të fuqizuar prokurorinë në përpjekjet e saj për t’u përballur me autorët e krimit të organizuar ose të paorganizuar, që qëndrojnë pas trafikimit të personave.
Le të flasim për votën tënde
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe protokollet e saj e ruajnë të drejtën e votës si të shenjtë. Më 30 qershor 2019 shqiptarët do ta ushtrojnë këtë të drejtë. Në zgjedhjet e kaluara, ka pasur pretendime masive për shitblerje të votës. Kjo ndihmon humbësin të shpjegojë humbjen te mbështetësit e tij, por gjithashtu prek dhe një problem real: pavarësisht se sa vota mund të jenë blerë në zgjedhjet e kaluara, blerja qoftë edhe e një vote të vetme është shkelje e së drejtës për të votuar. Ajo kufizon të drejtën e njeriut për zgjedhje të lira të pjesës më e madhe që voton me ndershmëri dhe në mënyrë të pavarur. Ne vijojmë t’i nxisim partitë politike shqiptare të bëjnë progres në reformën zgjedhore për ta zvogëluar, gjithashtu, edhe këtë fenomen. Mos harro që zgjedhja është individuale (ndryshe nga njerëzit në shumë vende dhe ndryshe nga brezat e mëparshëm të shqiptarëve): ti mund të zgjedhësh ta shesësh votën – OSE JO!
Le të flasim hapur, por të mos shpifim
Liria e shprehjes vjen pas të drejtës për të jetuar dhe për të mos u dëmtuar fizikisht, një nga të drejtat e njeriut më qendrore në një demokraci. Por ajo garon me të drejtën për të gëzuar dinjitetin personal, për të mos rënë pre e shpifjes, përgojimit, baltosjes. Është një vijë e hollë, që duhet respektuar, kur përballemi me shpifjen. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur precedentë në shumë raste, se çfarë është e lejueshme dhe çfarë jo. Kjo duhet të udhëheqë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur dinjitetin njerëzor të atyre që bëhen viktima të pafajshme. Përfaqësuesi ynë i Lirisë së Medias dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përcaktuar këtë vijë të hollë në bazë të standardeve më të mira.
Le të flasim për të ardhmen
Shumë të rinj po largohen nga vendi. Shumë kërkojnë një jetë më të mirë. Shumë kërkojnë një mjedis më të sigurt e më të qëndrueshëm, për veten dhe fëmijët e tyre. Ky është një problem i rrezikshëm për Shqipërinë: është keq për qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit, keq për ekonominë, keq dhe për reputacionin e tij. Puna me të drejtat e njeriut përmirëson të ardhmen e gjithëve, krijon shtysa për të qëndruar, për të investuar në të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria sapo u zgjodh Kryetare e Radhës e OSBE-së për vitin 2020. Ne e urojmë dhe do ta mbështesim Shqipërinë që të promovojë të drejtat e njeriut dhe vlerat e tjera të OSBE-së, në Shqipëri dhe në të gjitha shtetet pjesëmarrëse.