Studentët paraqesin një seri kërkesash, por refuzojnë ftesat për negocim. Pedagogë dhe analistë thonë se tani është koha që protestuesit të nisin bisedimet në mënyrë që protesta e tyre të finalizohet me sukses. Sipas gazetarit Carlo Bollino, studentët duhet të qartësojnë kërkesat e tyre, pasi në to çdo ditë ka ndryshime. Dhe dialogimi në këtë situatë është zgjidhja e duhur.
“Tani duhet patjetër një dialog në një tryezë. Pas një fitoreje politike që studentët kanë arritur, duhet ta konkretizojnë rezultatin. Nuk ka qeveri në botë që nuk pranon kushte të panegociueshme pa arritur një marrëveshje që e garanton pastaj që ka mbarim të protestës. Nevojiten negociata, sepse e para ka kërkesa kontradiktore. Disa kërkojnë arsimin falas, të tjerë përgjysmimin e tarifave. Cilat nga këto kërkesa duhet të miratojë qeveria”, u shpreh Bollino.
Të njëjtin mendim ndan edhe pedagogu Olit Rrumbullaku.
“Grupet e ndryshme studentore duhet të konsolidojnë kushtet e tyre. Në momentin që konsilidojnë disa kërkesa ata patjetër ia lënë topin qeverisë e mund të ketë edhe negociata. E rëndësishme që kërkesat të jenë afër realitetit, afër interesit ekonomik të familjeve të varfra në Shqipëri”.
Pedagogia Lili Sula, thotë se zëri i studentëve duhet dëgjuar./TCH/a.meta