Dy netë më parë televizioni Top Channel kishte ndërtuar një emision për karrierën e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
I konceptuar në formën e dokumentarit gazetarët e Top-Story kishin marrë edhe disa personazhe publikë që jepnin opinionin e tyre për Xhafajn.
Përveç ish-figurave të LMN si Kastriot Islami apo Marko Bello folën edhe Skënder Gjinushi, Dritan Hila dhe Sabit Brokaj.
Doktor Brokajt, dhe një prej figurave më të njohura të së majtës i kishin lënë një fjali ku fliste për aktivitetin e Xhafës në PS dhe largimin nga posti i ministrit të Brendshëm.
Në një prononcim për Dita-n, Sabit Brokaj,thotë se nuk ka folur në një intervistë për TCH për këtë çështje, por dhe pse e kanë regjistruar pa dijeni, sërish fjalët janë hequr nga konteksti.
Doktor, dy netë më parë jeni bërë pjesë e një emisioni televiziv në Top Channel ku keni folur për figurën e Fatmir Xhafës. Ajo që thatë ishte tepër e shkurtër dhe nuk doli qartë nëse ishit pro apo kundër ish-ministrit të Brendshëm…
Me thënë të drejtën më mori një mik në telefon, (Arian Salati) dhe më pyeti çfarë ke thënë për Xhafën se do jesh sot në një emision në TCH. Unë i thashë: jo s’kam folur në TV, por në gazetë kam dhënë një mendim pozitiv për Fatmirin dhe nuk e mbaja mend të kisha folur për Top Channel sepse këta më erdhën me hile tani që e kujtoj momentin dhe më thanë se do flisja për një person i cili kishte vdekur. Në fund të bisedës duke fikur edhe kamerën diskutuam për Fatmirin me që ishte momenti që kishte dhënë dorëheqjen.
Unë s’kam ditur që po regjistrohesha dhe biseda ishte e lirë pasi ishte mbyllur subjekti për të cilin kishin ardhur. Duke parë emisionin pasi më tha Ariani,shikoj që dola dhe unë. Të them të drejtën nuk doli keq ajo që thashë unë, Skënderi dhe Dritan Hila. Por dua të them se ato që më kishin mua ishin të hequra nga konteksti poshtërsisht.
Është një moment kur u them se kur hiqet një person në kulmin e suksesit lë diskutim domosdo dhe unë bëj një perifrazim dhe i them: “Kur ika unë nga qeveria, ika pas një konflikti publik me Fatos Nanon dhe e kuptonte kushdo këtë ikje, kurse Fatmiri duke pasur një karakter më të përmbajtur, natyrisht në një pozicion më delikat si ai i ministrit të Brendshëm e ka përmbajtur konfliktin me Edi Ramën, dhe besoj se ky është rezultati”.
Ata e kishin hequr fare këtë pjesë dhe kishin lënë pasazhe jashtë kontekstit. Por shyqyr që nuk doli keq.
Emisioni krijon idenë se ju jeni kundër zotit Xhafa…
Në mënyrë absolute nuk jam kundër. Madje kam thënë se është shtetari që ka dalë më në evidencë këto kohë. Madje tani që më vijnë në mend biseda e asaj dite, u kam thënë që Xhafaj është jurist që ka qenë ministër drejtësie dhe e ka konceptin e shtetit duke e njohur në themel dhe vetiu me këta që se kanë këtë koncept do të lindte konflikti. Dhe të gjitha që kam thënë i ka merituar, jo duke i bërë qejfin kot.
Përse mund të jeni cunguar në ato që keni thënë?
Mendoj se e kanë bërë me qëllim. Duke qenë se konteksti ishte shumë i zi kundër Xhafës, është lënë përshtypja sikur dhe unë kam qenë kundër Fatmirit. Por në mënyrë absolute nuk është e vërtetë. Madje mua dje më kanë falënderuar disa nga miqtë që e kanë ndjekur, edhe pse ishte hequr nga konteksti. Unë në fakt siç u thashë kam bërë thjesht një bisedë të lirë, dhe jo një intervistë apo prononcim për Fatmirin. Dua të theksoj se kam një vlerësim maksimal për Xhafën, qenia e tij në institucione të shtetit i bën nder shtetit.
/a.r