Nga Ben Andoni
Kryeministri Edi Rama është në ditët e tij më të këqija në mandatin e dytë qeverisës. Pa asnjë mëdyshje, ai nuk i shpëtoi dot mallkimit të qeverisë dy. Fenomeni, që i ka ngrënë kokën të gjitha qeverive shqiptare, nuk mund t’i shpëtonte edhe qeverisë së tij. Paradoksi është se paçka se të gjithë e dinë mirë dhe e njohin si fenomen, por askush nuk ka mundur të kalojë barrierën, Rubikonin shqiptar. Edi Rama tregoi se nuk mund të shkojë më shumë, paçka se në mandatin e tij të parë, shqiptarët filluan të kuptonin shtetin dhe mbi të gjitha dorën e ashpër të ligjit.
Vetëm se struktura qeveritare Rama, dora-dorës e zbuti çuditërisht për të fortët Ligjin duke lënë në darën e vështirësive fatkeqin, ata që duhej t’i ndihte për t’u rritur rrogën minimale dhe më shumë akoma, shpresën. Ndodh sot që burgjet janë të mbushur me qyqarë, kurse bosat tallen dhe bëjnë sehir. Në një tollovi strukturash të socialistëve; në një cinizëm, që e kanë gati burimor prej kryeministrit Nano; në një harresë totale ideologjike, Socialistët harruan masën, pikërisht ata të pagojët që i dhanë 1 milionë vota, që dikur Rama i perifrazoi si metaforë e shpullave për paraardhësin e tij.
Në fakt, ishin pinjollët e kësaj armate, që me gjithë malin e problemeve i treguan moskuptimin dhe mbi të gjithë rezistencën në ditët e fundit. Për fat të keq, studentët nuk nxorën realisht atë që i mundon realisht: Shqiptari i ri e ka të pamundur të jetojë në vendin e tij, ku prindërit rropaten; niveli i arsimit është fatkeq; për të nuk ka punë, nuk ka shpresë, pasi mungon konkurrenca e lirë dhe mbi të gjitha një model ekonomiko-social t’i ndihë të rrinë në vend.
Ata përjetojnë varfërinë e prindërve të tyre, por mbi të gjitha zbehjen e ëndrrave që në fillesë dhe kjo është tragjedia e një brezi, që është lindur dhe rritur pas vitit të tmerrshëm ’97. Protesta e tyre, vërtetë kishte kërkesa specifike, por ajo që donin të dëgjonin shqiptarët duhej të ishte pikërisht ajo që mundon shqiptarin e ri, shpresën e këtij vendi. Kjo bëri që politika të zvetënohej dhe Opozita, që u qep shëmtuar në kërkim të kauzave, që nuk i takojnë, të humbte pikë. Po Rama?
Ai vazhdon sikur të mos ketë ndodhur gjë, duke u munduar të shpërndajë vëmendjen në disa fusha dhe duke i funksionalizuar ministrat e tij, që para tij janë thjesht numërorë. Anipse kjo, sot, nuk mjafton sepse investimi që ka marrë mbi vete, ia ka drejtuar tash gishtin përballë: Rama, realisht, ka ardhur koha të mendosh për zhgënjimin që i fale njerëzve. Dhe, thjesht, të heshtësh. (Javanews)
Faleminderit Ben Andoni!
E vetmja rubrike qe ia vlen te lexohet tek Java, je ti.
Gjithe te mirat!