Nga Skënder Minxhozi/
Mund të duket gjëja më paradoksale për “standartin” shqiptar të reagimit publik, të thuash se sot kryeqyteti i Shqipërisë kaloi një ditë krej normale. Rruga e Durrësit, një ndër arteriet kryesore të Tiranës, qe e bllokuar deri pasdite, mijëra studentë zunë ekranet e mediave dhe shtrënguan qeverinë të bëjë “prapakthehu” në lidhje me tarifat e provimeve të mbartura nga viti paraardhës. Një vendim i shpejtë ky i cili i bën nder institucioneve që dëshmuan se dinë të dëgjojnë zërin e një proteste e cila u mais në pak orë, ashtu siç i ka hije çdo reagimi qytetar të pamanipuluar nga prapa perdeve të politikës.
E megjithatë (thuajse) gjithçka ka qenë normale sot në Tiranë. U protestua paqësisht dhe u arrit në një kompromis të parë. Të tjera kërkesa të studentëve meritojnë atë që ministrja e Arsimit e quajti me të drejtë, si hapin e parë të një “debati të shëndetshëm që ne duhet t’i shkojmë në fund, faleminderit studentëve që shërbyen si nxitës”. Ky është një ushtrim demokracie që do të donim ta shihnim përditë në rrugët, foltoret dhe institucionet e këtij vendi. Një dialog i fortë, me tharm proteste dhe kundërvënieje, por në fund të ditës, një akt i madh demokracie, ku shteti dëgjon dhe reflekton ndaj asaj që kërkon qytetari.
Demokracisë shqiptare nuk i vjen asnjë e keqe nga kauzat e forta me interes publik. Jemi mësuar të na nxjerrin me lista dhe autobusa partitë politike për interesat e tyre, e të na sjellin me lekë nën dorë në Tiranë, për të shembur qeverinë e rradhës. Duam apo s’duam kjo ka qenë skema logjike standarte e një proteste, në mendjen e shqiptarit të mesëm.
Në dekada pluralizëm, nuk mësuam kurrë se duhet protestuar për vendin e punës, për pagën, për të drejtën për arsimim, për të qenë të shëndetshëm, për të qenë të sigurt në lagjen a mahallën ku jetojmë. Nuk mësuam kurrë të protestojmë jashtë partive dhe hijes së tyre ideologjike. Nuk mësuam kurrë të bllokojmë rrugët, sheshet e intitucionet për rritjen e çmimeve (Franca u dogj e tëra për pak cent të çmimit të karburanteve), nuk mësuam asnjëherë të kontestojmë hapur dhe fort për taksat, cilësinë e ushqimit dhe ndotjen e pashembullt të mjedisit.
Kemi qenë dhe mbetemi një partitokraci e shëmtuar dhe e dalë boje. Protesta e studentëve për tarifat e provimeve të prapambetura është normale dhe e mirëpritur pikërisht sepse deri tani duket se ja ka dalë t’i shpëtojë kurthit të lojrave politike. Ashtu siç nuk arriti t’i shpëtojë ndonjë protestë tjetër jo larg saj!
Të kërkosh të arsimohesh me më pak shpenzime është një gjë fisnike dhe legjitime. Natyrisht duke respektuar ligjet dhe logjikën ekonomike të një shteti të varfër si Shqipëria. Të kërkosh ta bësh këtë gjë në mënyrë spontane, të natyrshme dhe të pakurdisur nga magjistarët e politikës, është gjithashtu edhe një meritë e madhe e rinisë sonë, që për shkak të moshës së saj, është fiziologjikisht e larguar dhe alergjike ndaj mjedisit të helmuar të politikës shqiptare. Tirana sot kaloi një ditë normale.