Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shfaqet i dorëzuar përballë betejës me Kosovën për tatimin me 100% të vlerës për mallrat nga Serbia. Në një intervistë televizive, Vuçiç shpjegon arsyet pse Serbia po has në vështirësi përballë Kosovës.
“Jemi në një situatë ku nuk mund të luajmë shah me dikë që ka ndihmën e 10 spektatorëve, siç janë Gjermania, Britania e Madhe e Franca. Kur ke një kundërshtar të paparashikueshëm, përfundimisht ky është një problem.”
Vuçiç shpreh bindjen se paqja në rajon do të ruhet dhe nuk do të ketë luftë me Kosovën.
“Nuk më pëlqen as t’a përdor fjalën luftë. Shpresoj të ruajmë paqen. Jam i bindur më së miri se nga ana jonë do të arrijmë t’a shmangim luftën. Duhet të vendosim komunikimin me NATO-n në mënyrë që të marrë përsipër detyrimet që të mos ketë prani të ushtrisë së Kosovës në veri.”
Autoritetet serbe përllogarisin 42 milionë euro dëm ekonomik mujor nga taksa doganore kosovare.
/A.Rada