Aktori amerikan Sean Penn ndodhet në Stamboll për të punuar mbi një dokumentar për gazetarin saudit, Jamal Khashoggi, i vrarë dy muaj më parë në konsullatën e vendit të tij në metropolin turk, raportojnë mediat.
Sipas agjencisë shtetërore turke ”Anadolu” aktori, fituesi i dy Çmimeve Oskar është drejtuar në Konsullatën e Arabisë Saudite ku stafi i tij po bën xhirime.
Në një video të publikuar nga mediat turke, Sean Penn shfaqet i veshur me të zeza nga koka tek këmbët, i drejtuar nga kamera përpara një postblloku të policisë turke që nuk i lejon të futet në konsullatë.
Pikërisht në këtë përfaqësi diplomatike Jamal Khashoggi, një redaktor saudit me banim në SHBA, i cili shkruante për ‘’ Washington Post’’, u vra më 2 tetor.
/A.Rada