Nga dhomat e paraburgimit në reanimacionin e Shkodrës. Bardhok Pllanaj i arrestuar dy ditë më parë është dërguar në spitalin e Shkodrës pas komplikacioneve në zemër. Ai ndodhet në reanimacionin e spitalit të Shkodrës ndërkohë që pritet që edhe masa e arrestit ndaj tij të zhvillohet në ambientet e spitalit. Ndërkohë që jashtë ambienteve të spitalit ndodhen forca të shumta policie për ta ruajtur.
Ai akuzohet për “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”, ndërsa cilësohet si “Kumbari” i Shkodrës. Pllanaj dyshohet se ka ndërtuar një pallat 10-katësh me para nga burime kriminale dhe pa leje ndërtimi. Pallati që ka ndërtuar Bardhok Pllanaj ndodhet në lagjen “Rus” dhe kap vlerën e 2 milionë eurove.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se ky objekt është financuar nga të ardhura që dyshohet që kanë ardhur si rrjedhojë e aktivitetit kriminal që ka kryer më parë. Në vitin 2014, kumbari i Shkodrës u fsheh në makinën e Frrokut, për t’iu shmangur arrestimit nga policia, e cila e kërkonte për trafik droge.
Bardhok Pllanaj, biznesmeni i ndërtimit i përfshirë në aktivitetin e ndërtimit në Shkodër, rezulton të ketë menaxhuar dhe administruar kompaninë e tij “Old-B” edhe pse ishte në kërkim policor. Gazeta “Shqiptarja.com” zbulon se i dyshuari për trafikun e mbi 800 kilogramë drogë nga laguna e Vilunit në Lezhë në drejtim të Malit të Zi, ka pasur një firmë ndërtimi, të cilën e ka pezulluar sapo i janë hapur problemet me drejtësinë, ndërkohë që sërish e ka rihapur këtë aktivitet në muajin Shkurt të 2015./a.meta