Qeveria britanike humbi sot një votim kyç mbi Brexit. Deputetët u shprehën se është shpërfillur Parlamenti pasi nuk është publikuar i gjithë qëndrimi ligjor mbi traktatin e tërheqjes nga Bashkimi Europian.
Votimi u mbyll me 311 vota pro dhe 293 vota kundër, duke dëshmuar dobësinë e qeverisë së Theresa May. Kryeministres do t’i duhet tashmë të publikojë këtë qëndrim në mënyrë të plotë, kur na ndajnë vetëm një javë nga një votim tjetër vendimtar në Parlament për vetë traktatin, parashikuar për në 11 dhjetor.
Përballë kësaj goditje të re, qeveria konservatore pranoi gabimin duke kërkuar publikisht ndjesë. Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Andrea Leadsom premtoi se njoftimi përfundimtar dhe i plotë i hartuar nga Attorney General (ministri përgjegjës për këshillimin ligjor të qeverisë) do të publikohet “nesër” (ditën e mërkurë).
/A. Rada